Spitali i ri i Kardiokirurgjisë në QSUT vihet në funksion
Dritare.net
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është vënë në funksion spitali i ri i Kardiokirurgjisë, me ambiente dhe shërbime të reja të fokusuara në përmirësimin e kushteve të trajtimit për pacientët.
Struktura e re është inspektuar nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, të cilët janë njohur me kapacitetet dhe organizimin e shërbimeve të Kardiokirurgjisë.
Në repartin e Kardiokirurgjisë janë shtuar tre shtretër, duke e çuar kapacitetin nga 35 në 38 shtretër. Struktura përfshin 15 dhoma, me dhoma dyshe.
Në kuadër të shërbimeve të reja është krijuar edhe një dhomë e dedikuar për kryerjen e procedurave sterile, duke shmangur realizimin e tyre në ambientet e reanimacionit.
Blloku operator përbëhet nga pesë salla: dy për kirurgjinë vaskulare, dy për kirurgjinë kardiake dhe një sallë hibride.
Gjatë vizitës në strukturën e re, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Kryeministri Edi Rama vlerësuan kontributin e profesionistëve që kanë shërbyer ndër vite në këto struktura.
Për kontributin e tyre u dhanë certifikata mirënjohjeje profesorëve dhe mjekëve Edmond Kapedani, Aurora Knuti, Efrosina Kajo, Arben Baboçi, Ajli Alushani dhe Ali Refatllari.
Në vijim të investimeve në QSUT, është parashikuar edhe përfundimi i një parkimi me 1400 vende në hyrje të kompleksit spitalor. Sipas planit të paraqitur gjatë vizitës, parkimi do të shërbejë për automjetet e personelit dhe për përdorime të tjera, ndërsa territori i spitalit pritet të lirohet nga automjetet.
Plani për zhvillimin e QSUT-së përfshin gjithashtu diskutime për një partneritet me një strukturë tjetër spitalore, me synim bashkëpunimin mes mjekëve dhe shkëmbimin e eksperiencave profesionale.
Një tjetër pjesë e planit lidhet me autonominë financiare të QSUT-së, e cila, sipas deklarimeve gjatë vizitës, pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.
Investimet në QSUT pritet të vijojnë edhe në fazat e ardhshme, me fokus përmirësimin e infrastrukturës dhe të kushteve të ofrimit të shërbimit për pacientët dhe stafin./L.F-dritare.net