Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK refuzon kërkesën për pjesëmarrjen e Veliajt në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

veliaj.jpg

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, e cila është parashikuar të zhvillohet në orën 15:00.

Kërkesa e Këshillit Bashkiak për lejimin e pranisë së Veliajt është refuzuar nga SPAK-u. Këshilli kishte kërkuar që kryebashkiaku të ishte fizikisht i pranishëm në mbledhje ose, nëse kjo nuk do të ishte e mundur, të merrte pjesë përmes videokonferencës.


Kërkesa i ishte përcjellë SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke pasur parasysh se Veliaj ndodhet aktualisht në paraburgim.

Sipas informacionit të bërë publik, vendimi për të mos e lejuar pjesëmarrjen është mbështetur në dispozitat e ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i cili përcakton rregullat për trajtimin dhe të drejtat e personave në paraburgim, si dhe kompetencat e institucioneve përkatëse.

Këshilli Bashkiak kishte argumentuar se prania e Veliajt ishte e nevojshme për diskutimin dhe shqyrtimin e çështjeve që lidhen me funksionimin e Bashkisë së Tiranës.