Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK: Ermal Beqiraj pasuri mbi 2 milionë euro dhe një kështjellë 2.6 milionë euro në Francë

SPAK ka zbardhur detaje të reja nga hetimet ndaj biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar në Francë dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.

Sipas SPAK, autoritetet franceze kanë identifikuar pasuri me origjinë të dyshuar kriminale, mes tyre llogari bankare me vlerë totale mbi 2 milionë euro, dy apartamente, si dhe blerjen e një kështjelle në departamentin e Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro. Në kuadër të hetimeve janë evidentuar gjithashtu edhe mjete motorike.

Hetimet financiare po vijojnë me qëllim sekuestrimin dhe konfiskimin e këtyre pasurive, ndërsa me kërkesë të SPAK autoritetet franceze kanë kontrolluar edhe ambiente në pronësi të Beqirajt, ku janë sekuestruar sende me interes për procedimin penal.

Beqiraj u arrestua më 24 korrik në Francë, pasi avioni i lehtë me të cilin udhëtonte hyri në hapësirën ajrore të kufizuar pranë centralit bërthamor të Penly-t. Gjykata franceze ka urdhëruar vijimin e paraburgimit të tij për qëllime ekstradimi, ndërsa SPAK ka përcjellë kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë./l.F-dritare.net