Shtyhet Panairi i 29-të i Librit në Tiranë, organizatorët njoftojnë zhvillimin e tij në dhjetor
Dritare.net

Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026” është shtyrë dhe nuk do të zhvillohet më në datat 11–15 nëntor, siç ishte parashikuar fillimisht. Lajmi është bërë i ditur nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila ka njoftuar se aktiviteti do të zhvendoset në muajin dhjetor.
Shkak për këtë vendim është bërë situata e tensionuar në kryeqytet, e lidhur me protestat studentore, që sipas organizatorëve mund të ndikojë në pjesëmarrjen e vizitorëve, veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve.
Në një njoftim zyrtar, Shoqata e Botuesve Shqiptarë bën me dije se vendimi është marrë pas konsultimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues.
Organizatorët vlerësojnë se zhvillimi i panairit në datat e planifikuara nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të publikut, duke qenë se një nga grupet kryesore të synuara të këtij aktiviteti janë pikërisht të rinjtë dhe fëmijët.
Megjithatë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka konfirmuar se panairi do të mbahet brenda këtij viti, gjatë muajit dhjetor. Datat e reja të zhvillimit të tij pritet të publikohen në ditët në vijim.
Panairi i Librit mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore në vend, duke bërë bashkë botues, autorë dhe lexues në një takim të përvitshëm me botën e librit./L.F-dritare.net