Si u vranë Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli!
Dritare.net

Mëngjesi i 17 korrikut 1915 shënoi një nga ngjarjet më tragjike në historinë e shtetit të ri shqiptar. Në fushën e Shtojit në Shkodër, forcat malazeze ekzekutuan pa gjyq Çerçiz Topullin dhe Mustafa Qullin, dy figura që përfaqësonin pushkën dhe penën në shërbim të atdheut.
Në emisionin “Dekalog” në DritareTV, gazetari Roland Qafoku sjell historinë e plotë të vrasjes së tyre, dëshminë e vetme nga vendngjarja dhe prapaskenat që dyshohet se çuan në ekzekutimin e dy patriotëve shqiptarë.
Çerçiz Topulli, i lindur më 1880 në Gjirokastër, ishte një nga komandantët më të njohur të çetave shqiptare. Ish-ushtaraku i Perandorisë Osmane e ktheu armën kundër saj dhe ia kushtoi jetën luftës për lirinë e Shqipërisë. Krahas veprimtarisë së armatosur, ai shkruante edhe për nevojën e ngritjes kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve.
Në ditët e fundit të jetës pranë tij ndodhej Mustafa Qulli, i njohur edhe si Muço Qulli, drejtor i gazetës “Populli” dhe një nga publicistët më të spikatur të kohës.
Në shtator të vitit 1914, Topulli shkoi në Shkodër për të kontribuar në mbrojtjen e qytetit nga forcat sllave. Por në verën e vitit 1915, pushtimi malazez do ta vendoste atë dhe Qullin përballë një kurthi vdekjeprurës.
Topulli u arrestua fillimisht më 28 qershor dhe u lirua pas dy ditësh, pasi autoritetet malazeze e siguruan se nuk kishin asnjë problem me të. Më 7 korrik, ai dhe Mustafa Qulli u arrestuan sërish dhe u mbajtën për dhjetë ditë në kushte të rënda.
Më 17 korrik, ushtarët i lidhën me zinxhirë dhe i hipën në një pajton, duke u thënë se do t’i dërgonin në Cetinjë. Por në fushën e Shtojit i zbritën dhe hapën zjarr ndaj tyre.
Mustafa Qulli humbi jetën në vend. Çerçiz Topulli, megjithëse i lidhur këmbë e duar, u përlesh me ushtarët përpara se të vritej me plumba dhe bajoneta.
Trupat e tyre u hodhën në gropa të cekëta dhe u mbuluan me shkurre, në përpjekje për të fshehur krimin. Megjithatë, ngjarja ishte parë nga bariu Mahmut Golemi, i cili ndodhej aty rreth orës 04:00 të mëngjesit.
Dëshmia e tij, e dhënë gjashtë muaj më vonë, zbuloi momentet e fundit të dy patriotëve. Sipas rrëfimit të dëshmitarit, Topulli i ishte drejtuar shokut të tij me fjalët: “Mos u tremb, se patriotët kështu e kanë”, përpara se të përleshej me vrasësit.
Në “Dekalog” trajtohen edhe dyshimet mbi prapaskenat e ekzekutimit. Sipas dokumenteve të sjella në emision, vrasja e Topullit dyshohet se u porosit dhe u financua nga qarqe greke përmes konsullatës në Shkodër, si hakmarrje për vrasjen e peshkopit grek të Korçës, Fotit.
Ndërsa Mustafa Qulli dyshohet se u eliminua për qëndrimet e tij pro-austriake, të shprehura hapur në gazetën “Populli”, të cilat binin ndesh me interesat serbo-malazeze.
Edhe pas vdekjes, historia e Çerçiz Topullit vijoi të ishte e trazuar. Eshtrat e tij u varrosën dhe u zhvarrosën katër herë, përpara se të vendoseshin përfundimisht në Varrezat e Dëshmorëve në Gjirokastër.
Në vitin 1936, transferimi i eshtrave nga Shkodra drejt Gjirokastrës u shndërrua në një ceremoni të madhe kombëtare. At Anton Harapi dhe Ernest Koliqi ishin mes figurave që mbajtën fjalime, duke e cilësuar sakrificën e dy patriotëve si një thirrje për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje apo krahine.
Por fotografitë e kësaj ceremonie u manipuluan më vonë nga regjimi komunist. Nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës u hoqën figurat e tjera, për të lënë të dukej vetëm Enver Hoxha, i cili në atë kohë ishte profesor.