Si u themelua Tirana! Historia që nuk dini!
Dritare.net

Themelimi i kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, mbetet një nga ngjarjet më magjepsëse të historisë urbane në Ballkan. Sipas dokumenteve të hershme dhe kronikave historike, u desh vizioni i një njeriu për të hedhur themelet e para të atij që sot është metropoli më i madh shqiptar. Në vitin 1614, me një ferman të lëshuar nga Sulltani i Perandorisë Osmane, Sulejman Pashë Bargjini nisi ndërtimin e një kompleksi thelbësor për jetën komunitare: një xhami, një hamam dhe një furrë buke. Kjo ishte pika e nisjes. Rrugëtimi i këtij ndërtimi nuk ishte i thjeshtë, pasi Bargjini u përball me rezistencën e përsëritur të fisnikërisë lokale. Një bej nga Sauku, Salman Beu, i shkatërronte natën ato çfarë Sulejman Pasha i ndërtonte gjatë ditës. Vetëm pas një fermani të dytë që autorizoi ekzekutimin e sabotatorit, Tirana filloi të formësohej lirisht si një qendër e re e rëndësishme.
Sot, katër shekuj më vonë, shumë pak nga ky qytet i vjetër ka mbijetuar fizikisht. Kompleksi i Bargjinit nuk ekziston më. Përballë kësaj humbjeje fizike të memories urbane, studiuesi Gazmend A. Bakiu, mori përsipër të ruante të kaluarën përmes imazhit dhe fjalës së shkruar. Gjatë një interviste për emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, Bakiu shpjegoi shtysën e tij të brendshme për të botuar librin "Tirana e Vjetër", një libër i konsideruar gjerësisht si një kodik vizual dhe tekstual i kryeqytetit. Ndonëse me një formim akademik si inxhinier mekanik, pasioni i tij për matematikën dhe letërsinë u transformua gradualisht në një përkushtim absolut ndaj historisë. Ky transformim nuk erdhi rastësisht; ai ndodhi pikërisht pas rënies së regjimit komunist në vitet ’90, një periudhë që zbuloi se një pjesë e konsiderueshme e historisë zyrtare që i mësohej brezave ishte një propagandë e deformuar dhe thellësisht e pavërtetë.
Bakiu, një pasardhës i denjë i një familjeje autoktone tiranase me rrënjë që datojnë prej më shumë se tre shekujsh në këtë truall, u ndikua thellë nga biblioteka e pasur familjare, e cila kishte i mbijetuar përndjekjes dhe censurës regjimore. Botimi i tij i parë, një përpjekje modeste në vitin 1998 e ndërtuar mbi kujtimet familjare dhe kontributet e studiuesve si Osman Myderizi, tregoi se publiku ishte i etur për të vërtetën. Qytetarët e Tiranës dëshironin të shihnin si dukej qyteti i tyre përpara se buldozerët e urbanizimit socialist të shuanin fizionominë e rrugicave, xhamive, dhe banesave të vjetra qytetare.
Dokumetimi përmes 404 fotografive të rralla nga kartolina, arkiva dhe albume familjare flet vetë. Nga botimi i parë deri te botimi i katërt i përditësuar së fundmi, vepra e Bakiut është shndërruar në një referencë akademike dhe publike. Çdo fotografi vlen sa mijëra fjalë, duke treguar qartë tjetërsimin dhe evoluimin e dhunshëm të Tiranës. Në të njëjtën kohë, kjo thekson rëndësinë e paçmuar të historianëve të pavarur, të cilët, larg kornizave partiake apo shtetërore, mbledhin me durim copëzat e thyera të një qyteti për t'i rindërtuar ato në kujtesën e brezave të rinj./dritare.net
