Si është situata me zjarret këtë të shtunë!
Dritare.net

Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri në të gjithë vendin. Nga këto, 6 mbeten aktive, ndërsa 4 janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 726 forca dhe 44 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 270 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Situata më e rënduar paraqitet në Gojan–Gjegjan të Pukës, ku vijon operacioni i përforcuar me 190 forca në terren. Në zonë po punojnë efektivë të MZSH-së, shërbimit pyjor, strukturave vendore, banorë dhe vullnetarë, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Në operacion janë angazhuar edhe mjete të rënda dhe dy helikopterë.
Në Tenë të Mirditës, puna për shuarjen e zjarrit vijon me rreth 30 efektivë të FA-së dhe mjete zjarrfikëse, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Dukat të Vlorës, zjarri vijon aktiv, por me intensitet të ulët. Në terren janë angazhuar 77 forca dhe nuk ka rrezik për banesat.
Ndërhyrja vijon edhe në Malin e Dajtit, ku një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht. Forcat e angazhuara po punojnë për shuarjen e vatrave të mbetura, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Bërshi të Klosit, disa vatra janë riaktivizuar gjatë natës për shkak të erës, pasi zjarri ishte vënë nën kontroll. Në operacion janë angazhuar 85 forca, përfshirë 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, në Shtuf të Mirditës, zjarri mbetet aktiv. Ndërhyrja vijon në zonat ku terreni e lejon, ndërsa pjesët e thepisura e vështirësojnë përdorimin e mjeteve zjarrfikëse.
Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në të gjitha zonat e prekura, me fokus të veçantë në izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e zonave të banuara./K.C/ditare.net