Shqiptarët në Vjenë, më nxorën mallin e Tiranës sime

Nga Fjorda Llukmani

Për mua s’ka gjë që më jep më shumë kënaqësi, se kur dëgjoj nëpër rrugët e Vjenës njerëz që flasin shqip. Më besoni ka plot, e më ndodh pothuajse çdo ditë ose të paktën disa herë në javë. Gratë që punojnë në supermarketin e lagjes time janë shqiptare.

Ma kishte thënë dikush që këto zonjat nuk kishin dëshirë të prononcoheshin e të flisnin shqip gjatë orarit të punës. Thuhej se kur kanë ardhur në Vjenë rreth viteve 2000, njerëzit kanë qenë më racistë e prandaj nuk e prezantonin veten si shqiptarë. Thjeshtë bënin punën e tyre me kokë ulur.

S’e di si ka qenë jeta më përpara, por tani s’e kam vënë re kurrë një lloj racizmi indirekt ndaj nesh. Patjetër ka patur raste të rralla. Duke qenë se jam ezmere unë dukem ashiqare që s’kam lidhje me racë austriake apo gjermane.

Një rast që më mbeti në mendje ishte një ditë në metro. Pa dashje më ra peceta në tokë. Ndërkohë sapo ulesha ta merrja një nga plakat tipike austriake veshur e qëndisur më prek te shpatullat e më thotë gjermanisht: “Ulu poshtë e merre letrën!”

Gjuhën s’e flas dhe kuptoj pak, ama ajo ma bëri me gisht dhe e kuptova që po thoshte diçka të tillë. U ndjeva si një copë muti, sepse në fakt po ulesha ta merrja atë që më ra. Ju ktheva anglisht “Më falni, s’po e shikoni që atë po bëj.” Gruaja vazhdoi të fliste, por nuk ia vara më sepse s’dija ç’përgjigje t’i ktheja. Edhe deri diku nuk i vendos faj. Duhen kuptuar që secili vendali ka të drejtën të mendojë “Ç’duan këta të huaj në qytetin tim?” Imagjino në Tiranë janë racistë për veriorët e jugorët duke thënë: “U bonë kta me ardh m’Tironë”, jo më plakat austriake që kanë lindur në një nga vendet më të përparuara në botë.

Një herë tjetër kur po futesha në club, një prej truprojave ishte shqiptar. Më dëgjoi duke folur në telefon edhe filloi të më fliste. Si përfundim u futa në club pa paguar hyrjen. Më besoni sjellje të tilla mendoj që ndodhin vetëm nëpërmjet shqiptarësh, ose maksimumi ballkanasve. Mendoj se evropianët s’duan t’ia dinë shumë e s’e kanë në kulturë qerasjen.

Ditë tjetër në metro, ndërkohë që të gjithë po ktheheshin nga puna e s’pipëtinte njeri, dëgjoj dy mama shqiptare që i bërtisnin kalamajve. “Po mos lëviz shumë se ma hëngre shpirtin.”,- i thoshte njëra prej tyre. “Po boll më mam se na pa gjithë dynjaja si shtriheni zvarrë kështu?”,- thoshte tjetra. Durova sa durova e s’e mbajta dot të qeshurën. Kalamajtë më panë e më pyetën në gjermanisht: “Po ti pse qesh?” “Ju kuptova çfarë po flisni”- u thashë. “Ua mami kjo goca paska mësuar shqip”-thotë një prej çunave. Aty qesha më shumë.

I vetmi rast negativ që më bezdisi, ishte në diplomimin e shoqes sime, e cila është po shqiptare.

Çdo student doli në podium dhe u prezantua me emër mbiemër dhe nga vinin. Më erdhi aq inat që njëra prej tyre u prezantua si greke, me mbiemër tipik shqiptar. Në fillim u konfuzova pak, ose mendova të paktën ka ardhur nga Greqia në Austri.

Por jo, kjo zonjusha jetonte në Shqipëri, e madje punonte në institucion publik shtetëror në Tiranë. Surrati i kësaj thotë jam greke? Meqë e donte kaq shumë shtetin që i ka dhënë pasaportë evropiane, pse nuk punonte dhe jetonte atje? Apo kriza e madhe, e u kthye në Shqipëri se kishte nevojë për lekë. M’u bë t’i thosha dy fjalë pas diplomimit, por pastaj mendova, s’ka ç’më duhet mua. Në këtë botë ka vend për të gjithë! Ama turp t’i vijë që mohon origjinën e saj.

LEXO DHE :  Arta Marku para KLP: Nuk mund të kesh rezultate të dukshme nëse mungojnë disa hallka të sistemit

Ndodhitë s’kanë të sosur, por po ju përshkruaj dhe një ngjarje të lezetshme si më të freskëtën. Dola me një shokun tim shqiptar që e njoha nëpërmjet disa të tjerëve. S’është se unë s’rri me të huaj, por siç merret vesh robi me racën e vet, s’e kupton kush. I urrej personat që me mburrje thonë “S’rri me shqiptarë unë!”. Po s’deshëm njëri-tjetrin, si presim të na dojë bota? Nejse uroj që ky kompleks të zhduket sa më parë. Në lokalin e parë që shkuam, kamerieri na foli shqip. E bëra porosinë siç ma deshi zemra, biles i kërkova sugjerime e ai më ndihmoi shumë. Kur vinte për të sjellë birrat e tjera na e hidhte ndonjë batutë. Çfarë lezeti more!

Në lokalin e dytë vajza që punonte si banakiere dhe kameriere ishte po shqiptare. Aty takuam dhe dy çuna të tjerë shqiptarë të Kosovës. “Ua po ku më keni nxjerrë more te rrugica e Salës.”-i thosha shokut tim. Kapaku fare u vu kur shkuam në një pub të vogël me muzikë. Çuni që na gjeti tavolinën sigurisht ishte dhe ai shqiptar. Madje na gjeti një më të mirë më vonë edhe tha po deshët t’ju lëviz atje. Ngjitur me ne ndodhej një tavolinë e zhurmshme me të rinj që kërcenin. Një moment u vu në sfond kënga e Ardian Bujupit “Çika-çika” dhe ky grupi filloi duke kënduar me zë të lartë.

“Ej, shihe sa e famshme qenka kjo kënga këtu more. I ditkan përmendësh fjalët edhe të huajt!”-flisja unë nga autobusi. Pas pak minutash dëgjoj një prej grupit ngjitur duke i thënë shoqes: “O zemra a ke çakmak?” Ju ktheva grupit tim duke e informuar se janë dora jonë dhe se ia kisha futur kot më parë. Pak më vonë vjen një shqiptar tjetër që s’e njihja. Ai rastësisht takon këta shokët e vet, të tavolinës ngjitur. “Aman më trego kush janë këta”- e pyesja gjithë kuriozitet. “Janë Petroninsa, ca për turizëm e ca jetojnë në Austri.”,- ma kthen ai. Eh duket brezi ri, mendoja me vete.

Kur grupi ngjitur nesh u largua, i përshëndetëm me përzemërsi. I afrohem njërit prej tyre se m’u duk si fytyrë e parë. “Ore kot të të pyes, mos je gjë vëllai i filanit.”-i drejtohem unë. “Po thotë ai jam, pse e ke shok vëllanë tim?”- ma kthen ai. I rashë kokës me dorë. Gjatë këtij momenti dy çuna pak larg nesh pyesin shokun që ishte me mua: “A ke ndonjë cigare o vllai?” M’u duk sikur kisha dalë në vendet e mia të preferuara në Tiranë, e takoja njerëz të rastësishëm që i njihja. Vjena qenka më e vogël se ç’e mendoja.

Ndërkohë që shkruaj me ju, kam dy gra shqiptare ngjitur që po bëjnë do thashetheme. Sa më pëlqen të dëgjoj ankesa vjehrrash, kushërinjsh apo kur gjykojnë veshjet e fisit. Në përfundim të këtyre ngjarjeve, mendova sa me fat jam të kem afër pak njerëz nga gjaku im në një vend ku personat janë të ftohtë e s’duan t’ia dinë për ty. Jam e sigurt që nëse më ndodh diçka, miqtë e mi nga Shqipëria dhe Kosova do të jenë aty për të më ndihmuar, të tjerët janë kalimtarë. Nuk e ka thënë kot Skënderbeu “Bashkimi bën fuqinë!”/dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.