Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Shqiptarët e Luginës së Preshevës sot në votime

Shqiptarët e Luginës së Preshevës sot në votime

Shqiptarët e Luginës së Preshevës votojnë këtë të diel për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj në Këshillin Kombëtar Shqiptar, institucionin që mbron dhe përfaqëson interesat e komunitetit shqiptar në Serbi.

Në këto zgjedhje, 37.759 qytetarë kanë të drejtë vote për të përcaktuar 29 anëtarët e Këshillit, ndërsa në garë janë katër lista zgjedhore me gjithsej 107 kandidatë.

Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, ku partitë shqiptare garuan të bashkuara përballë forcave politike serbe, këtë herë ato përballen me njëra-tjetrën për drejtimin e institucionit përfaqësues të shqiptarëve.

Në garë janë Lëvizja e Progresit Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare (LPD–PDSH), me Shqiprim Musliun në krye të listës, Partia Demokratike dhe LR (PD–LR), e drejtuar në këtë garë nga Sali Salihi, Partia për Veprim Demokratik (PVD–AL) dhe Alternativa për Ndryshim (APN), me Levent Qazimin në krye të listës.

Një nga risitë kryesore të këtyre zgjedhjeve është rritja e numrit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga 15 në 29, një ndryshim që vjen pas më shumë se një dekade dhe lidhet me të dhënat e regjistrimit të popullsisë në Serbi në vitin 2022.

Këshilli Kombëtar Shqiptar luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit kombëtar, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, arsimin, kulturën dhe informimin në gjuhën amtare.

Zgjedhjet zhvillohen vetëm dy javë pas atyre parlamentare në Serbi, ku koalicioni i përbashkët i shqiptarëve të Luginës së Preshevës arriti të sigurojë dy mandate në Kuvendin serb./dritare.net