
Dhimitër Anagnosti dhe filozofia e vdekjes: Si e ktheu dhimbjen në art!
Dritare.net
Dhimitër Anagnosti, mjeshtri i kinemasë shqiptare, nuk e shihte vdekjen thjesht si fund. Për të, ajo ishte pjesë e pandarë e jetës, një koncept filozofik dhe artistik që duhej kuptuar për të jetuar me dinjitet.
“Anagnosti ishte i kontaktuar me vdekjen, jo fizikisht, por psikologjikisht. Të përballesh me vdekjen është një koncept i lartë, duhet ta pranosh atë për të kuptuar jetën dhe meritat e saj,” u shpreh gjatë bisedës publicisti Ben Andoni. Ai shtoi se zona jonë ka përjetuar shumë tragjedi, prandaj gjyshërit tanë kanë jetuar gjithmonë mes jetës dhe vdekjes me dinjitet, dhe kjo përvojë reflektohet edhe në veprën e Anagnostit.
Në filmat dhe poezitë e tij, përballja me vdekjen merr shpesh një dimension sublim: herë shfaqet si dhimbje, herë si forcë, herë thjesht si ekzistencë artistike. Personazhet e tij mbartin peshën e jetës, por edhe hijen e vdekjes, duke e bërë çdo histori më të thellë dhe më njerëzore.
Përmes artit, ai arriti ta shndërronte frikën e madhe të njeriut në reflektim estetik. Vdekja nuk ishte fundi i një rruge, por pikënisje për të menduar më thellë mbi jetën. “Ai e përballoi vdekjen në mënyrën e vet, duke krijuar personazhe të fortë që reflektojnë jetën dhe vdekjen njëkohësisht,” theksoi Andoni.
Dhimitër Anagnosti do të mbetet përherë një shembull i rrallë i artistit që dinte të gërshetonte jetën me vdekjen, realitetin me metaforën dhe dhimbjen me shpresën. Trashëgimia e tij është prova më e mirë se arti ka fuqinë ta bëjë edhe vdekjen të pavdekshme./dritare.net

















