Shoqëria civile: E pamundur të gjejmë kandidatët për KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një institucion i rëndësishëm i reformës në drejtësi, që ka mbetur pa ende pa u krijuar, për shkak të mungesës së kandidatëve të propozuar nga shoqëria civile.
Mungesa e KLP ka sjellë edhe debatin e madh në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorit.
Por, përmes një deklarate për media komisioni Ad Hoc i shoqërisë civile thotë që është e pamundur të gjenden 3 kandidatë dhe se janë bërë 5 thirrje publike për aplikime për KLP.
Po kështu pohon se 10 nga 11 kandidaturat e mbërritura u skualifikuan pasi nuk përmbushin kriteret ligjore.

DEKLARATA E PLOTË
E VËRTETA ME ANËTARIN E SHOQËRISË CIVILE PËR KËSHILLIN E LARTË TË PROKURORISË

Nisur nga zhvillimet dhe debatet e ditëve të fundit për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe nga disa komente që shohin si pengues për krijimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë mungesën e përzgjedhjes së anëtarit të shoqërisë civile në këtë institucion, në kuadër të transparencës dhe ndjeshmërisë së shtuar për këtë çështje, sqarojmë sa më poshtë:

Përsa i takon përzgjedhjes së anëtarit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga shoqëria civile, Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile është gjendur në pamundësi reale për t’i përcjellë Kuvendit listën me së paku 3 kandidatë për anëtar të shoqërisë civile, të cilët përmbushin kriteret e caktuara ligjore.

Nga muaji shkurt, kur Komisioni i Shoqërisë Civile u krijua e deri në muajin tetor, me propozim të këtij komisioni nga Kuvendi i Shqipërisë janë hapur dhe njoftuar 5 thirrje publike për kandidatët që shprehin interesin për të qenë anëtarë të KLP si përfaqësues të shoqërisë civile. Bazuar në këto thirrje, 10 nga 11 kandidaturat e mbërritura janë skualifikuar për shkak se nuk përmbushin kriteret formale ligjore.

LEXO DHE :  Spartak Ngjela: Meta të ndalet, ndryshe e pret burgu përjetë

Ky proces tërësisht transparent është pasqyruar dhe në media. Për vëmendjen e shtuar të publikut lidhur me zhvillimet e fundit, vlen të theksojmë se disa nga argumentet kryesor për skualifikimin e këtyre kandidaturave kanë qenë:

– Mospërmbushja e kriterit 15 vite përvojë pune në profesion si jurist;
– Mungesa e të provuarit me fakte dhe prova konkrete të angazhimit të këtyre kandidatëve në shoqërinë civile, mungesa e një profili të spikatur shoqëror, integriteti të lartë moral apo justifikimi i aseteve.

Komisioni vlerëson se kriteri i vendosur për 15 vite përvojë pune në profesion si jurist ka qenë një ndër faktorët kyç që ka prodhuar situatën aktuale me kandidaturat për KLP të ardhura nga shoqëria civile.

E gjithë procedura sa më sipër është e dokumentuar, ndërsa duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe Komisioni është përballur me katër procese gjyqësore të iniciuara nga kandidatët e skualifikuar për KLP, raste për të cilat Gjykata ka lënë në fuqi vendimmarrjen e Komisionit të Shoqërisë Civile.

Pas përfundimit më 30 nëntor 2017 të afatit të thirrjes së gjashtë për shprehje interesi, Komisioni i Shoqërisë Civile është në pritje të përmbushjes së afateve ligjore dhe procedurale nga Avokati i Popullit, me qëllim që të shqyrtojë pesë kandidaturat e reja, të kryejë seancën dëgjimore me kandidatët e kualifikuar duke synuar përfundimin e procesit brenda muajit Dhjetor.

Komisioni gjen rastin të shprehë dhe njëherë angazhimin e tij maksimal në zbatimin e reformës në drejtësi dhe konstituimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit gjyqësor.
Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile/ I.M-Dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.