Mesazhi i mjekes: Do të vijë koha kur vendi ynë do të na vlerësojë! Mos u largoni!
Dritare.net
Nga Marina Kërçeli
Sezoni i ri ka filluar për të gjithë! Jemi në ditët e para të shtatorit, pas një vere të nxehtë, ku ndryshe nga shumica, Eduina Hazisllarin e gjeti duke u kujdesur për pacientët e saj, që kryesisht janë të huaj apo emigrantë shqiptarë. Ajo që të bën përshtypje kur e takon për herë të parë është pozitiviteti që përcjell pavarësisht të papriturave që përballet gjatë punës me pacientët. U takova rastësisht me stomatologen që ka rreth 6 vite që i është përkushtuar këtij profesioni, edhe pse çdo ditë i sjell sfida të reja, por edhe kënaqësi të papërsëritshme.
Në sallën ku ajo kalon shumicën e kohës, ku mbizotëron aroma e dezinfektantit, doktoresha nuk harron kurrë të përshëndetë pacientin e fundit të ditës. Buzëqeshja e saj e ngrohtë fsheh lodhjen e një dite të gjatë pune, por sytë i shkëlqejnë ende me pasionin e një profesioniste të përkushtuar.
"A e di”, më drejtohet ajo teksa heq dorëzat dhe maskat, "kur isha e vogël, ëndërroja të bëhesha artiste. Por sot ndodhem këtu, duke pikturuar buzëqeshje në vend të kanavaceve”.
Në sytë e saj lexohet një përzierje e çuditshme ëndrre dhe realiteti, pasioni dhe përgjegjësisë.
"Çdo buzëqeshje që ndreq është si një vepër arti për mua. Ndonjëherë mendoj se sa gjëra të bukura mund të kishim krijuar unë dhe ata artistë që zgjodhën të bëhen dentistë. Por pastaj, kur shoh ndryshimin që bëj çdo ditë, e kuptoj se kemi zgjedhur një art shumë më të çmuar, artin e shërimit.
Janë dy alternativa që plotësojnë njëra-tjetrën. Për të pasur sukses, por edhe për t'u ndier mirë me punën në përgjithësi, çdo gjë që bën duhet ta fillosh nga një ëndërr. Nuk ka ëndërr që realizohet pa vullnetin për të punuar”, shton mjekja.
Eduina na flet sinqerisht për fillimet e vështira, ditët e gjata të punës dhe sfidat e vazhdueshme të profesionit.
"Kur sapo del nga bankat e shkollës, duhet të bësh kalimin nga librat dhe situatat hipotetike në pacientë realë. Çdo rast klinik është i ri, stepesh përpara gjërave më të thjeshta, ke frikën se mos je duke bërë diçka gabim".
Po ashtu, Eduina nuk harron të na tregojë për planet e së ardhmes.
"Unë kam vetëm një qëllim në jetën time profesionale: të jem një kliniciste shumë e mirë”.
Ndërsa flasim për mundësinë e emigrimit, një realitet që prek shumë profesionistë shqiptarë, Eduina përgjigjet kështu!
"Besoj sinqerisht se një ditë do fillojnë të funksionojnë strukturat e shtetit ashtu siç duhet. Shpresoj për një të ardhme ku dentistët dhe profesionistët e tjerë mjekësorë do të ndihen të vlerësuar".
Përmes fjalëve të saj, zbulojmë një portret të gjallë të brezit të ri të stomatologëve shqiptarë, të shtyrë nga ëndrrat, të formësuar nga sfidat dhe të vendosur për të bërë ndryshim në shëndetin oral të vendit të tyre.
Intervista e plotë!
Stomatologjia është ëndërr apo vullnet pune?
Mendoj se janë dy alternativa që plotësojnë njëra tjetrën. Për të pasur sukses, por edhe për t’u ndier mirë me punën në përgjithësi. Çdo gjë që bën duhet ta fillosh nga një ëndërr.
“Bëj atë që dëshiron, dhe nuk do të të duhet të punosh asnjë ditë gjithë jetën tënde”, kjo është një shprehje që mua më pëlqen shumë, edhe pse jo gjithmonë është e vërtetë.
Nuk ka ëndërr që realizohet pa vullnetin për të punuar. Jam e sigurt që çdo profesion ka vështirësitë e veta, sado me pasion e ke. Stomatologjia padyshim nuk bën përjashtim. Kur je përballë vështirësive të çfarëdolloj natyre, edhe dëshira shuhet. Personalisht, jo pak herë e kam vënë në dyshim zgjedhjen që kam bërë. Në këto raste duhet të mbështetesh tek vullneti i punës për të tejkaluar ditët kur nuk je fort i motivuar. Në momentin që i tejkalon, kur merr një falënderim apo urim, kur bën një punim të bukur, kur zgjidh një rast që për ty ishte sfidë personale, kur bën dikë të buzëqeshë pa ndrojtje, të rikujtohet edhe njëherë ajo ëndrra që të bëri të filloje. Kështu vazhdon cikli pa mbarim.
Prej sa vitesh punon, si kanë qenë fillimet?
Kam pothuajse 6 vite që punoj, ndaj kushdo që i ka më shumë vite mbi supe me thotë: “je akoma në fillimet e tua”.
Duke pasur parasysh sa e gjerë është fusha ku unë punoj dhe sa shume variacione ka nga pacienti në pacient, mendoj se kanë të drejtë. Përpos kësaj, fillimet janë gjithmonë të vështira. Kur sapo del nga bankat e shkollës, duhet të besh kalimin nga librat dhe situatat hipotetike në pacientë realë. Çdo rast klinik është i ri, stepesh përpara gjërave më të thjeshta, ke frikën se mos je duke bërë diçka gabim, ka shumë pasiguri sepse e di që ajo që bën ndikon direkt në cilësinë e jetës së pacientit.
Gjithë këtyre ju shtohet edhe fakti që pacientet janë disi mosbesues ndaj një dentisti në moshë të re. Për fat të keq edhe tregu është i tillë, që nuk gjen gjithmonë njerëz më të aftë se ty që janë të gatshëm për të të ndihmuar. Pavarësisht këtyre, fillimet kanë edhe emocione shume të bukura, si p.sh. të shkosh në punë me shumë dëshirë sepse nuk ke asnjë përgjegjësi përveçse të ndihmosh doktorët e tjerë dhe të shikosh raste të reja, të mësosh prej tyre.
Ndjesitë negative nuk zhduken asnjëherë plotësisht, ndërsa ato pozitivet veç shumohen, dhe është miksi i këtyre të dyjave që më shtyn të përmirësohem dhe të bej më të mirën time ditë pas dite.
E ke menduar ndonjëherë largimin nga vendi?
Të them të drejtën, e kam menduar largimin vetëm kohet e fundit. Kur kam qenë më e vogël, pavarësisht se e kisha mbështetjen e prindërve për të studiuar jashtë vendit, nuk kam dashur të iki. Kam pasur rreth e rrotull meje shembuj pozitive, si vëllai im, që i ka dalë shumë mirë edhe me shkollimin në Shqipëri. Mbase kam qenë e shkëputur nga realiteti që më priste, por edhe gjatë fakultetit, kur pjesë e mirë e shokëve dhe shoqeve përgatiteshin për të ikur jashtë, unë kam dashur të rri këtu sepse kam besuar se kudo që të jesh, nëse krijon kushtet e duhura, mund të ecësh dhe të kesh sukses.
E ndërsa fillova punë, kam menduar se kam bërë shumë mirë që kam qëndruar, sepse mund ta them me siguri që prindërit e mi janë në duar të sigurta. Të paktën për shëndetin oral. Me ndodhitë e kohëve te fundit në fushën mjekësore është krijuar një situatë shumë e vështire. Është krisur shumë marrëdhënia mjek- pacient, ka një mungesë të theksuar.
Në ditët më të këqija mendoj: “pse nuk ika atëherë kur kisha mundësi?!”.
Por përsëri, sido që të shkoje puna, më ngroh ideja që njerëzit e mi më kanë mua. Gjithashtu, si gjithë shqiptaret që punojnë çdo dite në vendin e tyre, besoj sinqerisht se një ditë do fillojnë të funksionojnë strukturat e shtetit ashtu siç duhet, për t’i bërë dentistët, mjekët, infermierët, farmacistët apo çdo profesion tjetër të ndihen të vlerësuar dhe për të rikthyer harmoninë në marrëdhënien mjek- pacient.
Cilat janë planet për të ardhmen?
Unë kam vetëm një qëllim në jetën time profesionale! Të jem një kliniciste shumë e mirë. Ndaj planet e mia të së ardhmes i shërbejnë veç këtij qëllimi. Po punoj më shumë në pjesën e terapisë, dhe nuk kam ndërmend të shkëputem prej saj edhe për pak kohë, pasi mendoj se është absolutisht fusha më me rendësi në dentistri. Jam aktualisht duke kryer një specializim për ortodonci, të cilin dua ta pasoj me trajnime plotësuese. Do të kisha shumë dëshirë që në të ardhmen e afërt të mund të jepja shërbimin tim si specialiste e kësaj fushe edhe në qytetin tim të lindjes.
Nuk e di çfarë rezervon e ardhmja për mua, por për sa kohe kam mbështetjen e pakushtëzuar të familjes dhe dëshirën për të punuar, e di që do të jetë pozitive./dritare.net