Na ndiqni edhe në

Shëndet

OBSH: Mjaft gënjyet. Shkenca është e qartë, alkooli shkakton kancer!

OBSH: Mjaft gënjyet. Shkenca është e qartë, alkooli shkakton

Organizata Botërore e Shëndetësisë

Alkooli shkakton kancer, dëmton ekonomitë dhe rëndon shoqëritë në të gjithë Rajonin Evropian të OBSH-së. Sot, OBSH/Europa dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) përcjellin një mesazh të thjeshtë për qeveritë: Politikat e forta për alkoolin janë ndër investimet më të mençura që mund të bëni. Ato shpëtojnë jetë, kursejnë para, japin rezultate shpejt dhe tani mbështeten nga një prej shqyrtimeve shkencore më rigoroze në botë.

Vëllimi 20 i Doracakëve të IARC për Parandalimin e Kancerit shënon herën e parë që IARC ka vlerësuar parandalimin e kancereve të lidhura me alkoolin.

Vëllimi 20A vlerëson ndikimin e uljes ose ndërprerjes së konsumit në rrezikun e kancerit, ndërsa Vëllimi 20B fokusohet në politikat për të ulur konsumin e alkoolit.
Të përgatitura nga një grup i pavarur ekspertësh ndërkombëtarë përmes një procesi rigoroz e transparent, pa konflikte interesi, këto doracakë ofrojnë shqyrtime të plota dhe vlerësime konsensuale të veprimeve parandaluese kundër kancerit. Qeveritë në mbarë botën mund t’i përdorin për të hartuar rekomandime dhe politika.

Rezultatet e Vëllimit 20 janë të qarta:

Taksimi i alkoolit, kufizimi i disponueshmërisë dhe ndalimet e forta të marketingut ulin konsumin e alkoolit në nivel popullate dhe, si pasojë, reduktojnë barrën e kancerit.

Çfarë është në rrezik

Bashkimi Evropian (BE) është nënrajoni me konsumin më të lartë të alkoolit në botë dhe ku kanceri është tashmë shkaku kryesor i vdekjes.
Në vitin 2020, alkooli shkaktoi 111 300 raste të reja kanceri në BE, përfshirë:

36 900 raste të kancerit kolorektal,
24 200 raste të kancerit të gjirit,
12 400 raste të kancerit të zgavrës me gojë.
Pothuajse 70% e rasteve ishin te meshkujt.

Në vitin 2018, kostoja e vdekjeve të parakohshme nga kanceret e lidhura me alkoolin arriti në 4.58 miliardë euro në BE – vetëm një pjesë e vogël e barrës së përgjithshme të alkoolit, që përfshin shtrime në spitale, lëndime, dhunë dhe humbje produktiviteti, të cilat kushtojnë dhjetëra miliarda më shumë.

“Rajoni Evropian i OBSH-së, veçanërisht vendet e BE-së, po paguajnë një çmim shumë të lartë për alkoolin – në forma kanceresh të parandalueshme dhe familje të shkatërruara, si dhe me kosto miliardëshe për taksapaguesit,” – tha Dr Gundo Weiler, Drejtor për Parandalim dhe Promovim Shëndetësor në OBSH/Europa.

“Në vitin 2020, alkooli kontribuoi në më shumë se 93 000 vdekje nga kanceri vetëm në Rajonin tonë. Disa e quajnë alkoolin ‘trashëgimi kulturore’, por sëmundja, vdekja dhe paaftësia nuk duhet të normalizohen si pjesë e kulturës evropiane. Me këtë vëllim të Doracakëve, kemi provat më të qarta të mundshme për të ndryshuar këtë situatë,” shtoi ai.

Çfarë ka të re në Doracakët e IARC

Pijet alkoolike janë klasifikuar si kancerogjene për njerëzit (Grupi 1) që prej disa dekadash. Me këtë vëllim të fundit, ekspertët ndërkombëtarë kanë demonstruar se politikat për alkoolin ulin konsumin dhe se ulja ose ndërprerja e konsumit ul rrezikun e kancerit.

“Alkooli shkakton të paktën 7 lloje kanceri,” tha Dr Elisabete Weiderpass, Drejtoreshë e IARC.
“Vëllimi 20 i Doracakëve të IARC është një gur themeli historik: i zhvilluar në 2 pjesë, ai përcakton pa asnjë dyshim se politikat në nivel popullate ulin konsumin e alkoolit dhe se ulja e konsumit zvogëlon rrezikun e kancerit.”

Cilat politika funksionojnë?

Për Vëllimin 20B, një grup i pavarur ekspertësh ndërkombëtarë vlerësoi studime mbi ndikimin e:

taksave dhe rritjeve të çmimeve,
kufizimeve në orare ose ditë shitjeje,
kufizimeve të densitetit të pikave të shitjes,
ndalimeve të forta të marketingut,
kontrollit shtetëror të shitjes së alkoolit,
si dhe ndërhyrjeve të kombinuara me shumë politika.
Përfundimi: këto masa ulnin ndjeshëm konsumin e alkoolit në nivel popullate.


Përfitimet e zbatimit të këtyre politikave
Këto gjetje ndihmojnë qeveritë të zbatojnë politika që:

Shpëtojnë jetë – duke ulur konsumin në nivel popullate, parandalojnë sëmundje dhe vdekje të parakohshme;
Kursejnë para – taksimi i alkoolit jo vetëm që ul konsumin dhe dëmet, por edhe rrit të ardhurat e qeverisë, të cilat mund të riinvestohen në shëndet;
Funksionojnë shpejt – rezultatet shfaqen brenda 5 vitesh, shpesh brenda një mandati politik;
Bazohen në shkencë – vlerësimet e IARC mbështeten në prova të pavarura e të qëndrueshme, duke shërbyer si standard global.

Një detyrë politike urgjente

Pavarësisht provave gjithnjë e më të shumta mbi efektivitetin e këtyre politikave, ato mbeten të pazbatuara në shumë vende të Rajonit.
Vëllimi 20 u jep qeverive mjetet shkencore për të vepruar me vendosmëri, për të mbrojtur shëndetin publik, forcuar ekonomitë dhe për të sjellë ndryshime të dukshme brenda një mandati politik.

Megjithatë, ulja e konsumit të përgjithshëm është vetëm një pjesë e zgjidhjes. Miliona njerëz në Rajon vuajnë nga çrregullime të përdorimit të alkoolit, por vetëm një pjesë e vogël marrin trajtim.
Zgjerimi i qasjes në trajtime efektive dhe të bazuara në prova është thelbësor — këto funksionojnë më mirë kur kombinohen me zbulim të hershëm, ndërhyrje të menjëhershme dhe politika të forta që kufizojnë disponueshmërinë dhe promovimin e alkoolit.

“Rajoni Evropian i OBSH-së nuk mund të vazhdojë me iluzionin se konsumimi i alkoolit është i padëmshëm,” theksoi Dr Weiler.
“Tashmë kemi kuptim më të mirë për ndikimin real të alkoolit dhe shumë më shumë prova mbi mënyrat se si mund të ulim rastet dhe vdekjet nga kanceri që lidhen me të. Shkalla e jetëve që mund të shpëtohen është e jashtëzakonshme – dhjetëra mijëra.”

Ngjarja e nivelit të lartë për lançimin

Vëllimi 20 i Doracakëve të IARC do të lançohet zyrtarisht në UN City, Kopenhagë, gjatë një ngjarjeje 2-ditore të nivelit të lartë të organizuar nga OBSH/Europa dhe IARC, në kuadër të Projektit të OBSH–BE “Evidence into Action Alcohol Project (EVID-ACTION)”.
Në këtë aktivitet do të mblidhen politikëbërës, studiues, aktivistë të rinj dhe shoqëria civile për ta kthyer provën shkencore në veprim politik urgjent./l.F-dritare.net