Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Dhuna në kopshtin jopublik dhe biseda ime me mbesën!

Dhuna në kopshtin jopublik dhe biseda ime me mbesën!

Dr. Engjëllushe Zenelaj

Teksa ndeshesh prej ditësh në të gjitha rrjetet sociale me ngjarjen në kopshtin privat, ku fëmija u lëndua dhe dëmtua fizikisht dukshëm dhe nuk u raportua, ndërkohë po reflektoja dhe papritur mu kujtua një ngjarje e para tri viteve...

..."Një ditë më telefon mbesa duke qarë, se nuk bënte dot një detyrë shtëpie. Ia bëra detyrën nga telefoni, ia nisa me mesazh dhe dola se kisha një angazhim. Pas afro tri orësh kthehem në shtëpi dhe sërish mbesa ishte duke qarë. I them:

-"Ester pse qan?

-"Skam bërë detyrën o teze..."-më përgjigjet.

-"Po unë sikur ta zgjidha"- i thash.

-"O teze ti mirë e zgjidhe por ti se si flet, si me fjalë të mëdha, unë as vetë si kuptoj...

Kaq më duhej të kuptoja se unë (pavarësisht se kisha studiuar, marrë gradë në shkencë, punoja si pedagoge, nuk isha e aftë në aspektin pedagogjik të merresha me fëmijë. Kjo është mesë normale, s’ka asgjë të keqe, në fund të fundit aftësitë janë të ndara, unë bëra një zgjedhje për profesionin tim, mësimdhënie por në nivel universitar. Gjithashtu, kjo më bëri të kuptoj se pavarësisht se vitet kalojnë dhe unë formohen çdo ditë e më shumë, sjellja ime në auditor me studentët e vitit të parë apo fillestarët në çdo program duhet të jetë konstante. Në aspektin e mësimdhënies progresi i mësimdhënësit me studentët nuk është i njëjtë. Çdo vit në auditor ulen studentët të cilët e zhvillojnë lëndën për herë të parë, ndaj edhe teknika e mësimdhënies dhe sjellja në auditor i referohet studentëve të atij niveli.

Këtë shembullin nuk e vendosa që t’ju tregoj për veten apo të afërmit e mi, por mora një sekuencë nga jeta ime për të thënë se mësimdhënia është aftësi dhe vullnet dhe askush nuk i di të gjitha dhe askush nuk është i aftë ti bëjë të gjitha...Dhe mësimdhënës, pavarësisht nivelit që je (parashkollor e deri në universitet) është një kryqëzim midis dëshirës për të qenë i tillë dhe aftësive...Por pikërisht nisur nga niveli arsimor që kam, dhe njohuritë mbi shtetin dhe organizimin e tij, nuk e humbas kohën duke kryqëzuar një njeri që punonte si edukatore në një vend të palegjitimuar si të tillë, etj...se në fund të ditës kjo do jetë vetëm shfryrje mllefi, dhe nuk përbën asnjë ndryshim konkret. Shqetësimi im shkon në gjenezën e problemit, se për aq kohë sa ne kemi politika arsimi të cilat ofrojnë para për studentët që të studiojnë degë që të mos mbyllen universitetet publike, sidomos profilet e mësuesisë, sigurisht që rezultatet do të jenë të tilla( me këmbë të thyera) edhe ndoshta më keq...Jo kushdo mund të bëhet mësues, jo kushdo që s’ka ç’të bëj, bën një shkollë për mësues(sidomos gjinia femërore) që ta ketë se si dihet, sepse vjen partia në pushtet, e na gjen ndonjë vend pune...a në shtet a në privat(sepse kopshtet private pa liçencë i lejon partia në pushtet)...

Mësuesit nuk janë vetëm data 7 Mars , mësuesit janë me ne gjithë jetën , sepse e të gjithëve na kalon rruga nga mësuesit.

Do të rekomandoja bindshëm që Ministria e Arsimit në përcaktimin e kuotave për programet mësuesisë (nga parashkollor deri tek ai i mesëm) duhet të jetë vigjilente duke miratuar sipas treguesve statistikor, bazuar me një korrelacion mbi papunësinë e mësuesve sipas profileve përkatëse, vakancat sipas llojit të diplomave, dhe mbi bazën e një progresioni aritmetik 5 vjeçar për të plotësuar kërkesat e së ardhmes, parë edhe në këndvështrimin e evolucionit demografik të Republikës së Shqipërisë.

Miratimi kuotave të programeve të mësuesisë nuk duhet të jetë thjesht si numra që më së shumti universitetet publike të plotësojnë orët mësimore, sepse universitet nuk maten vetëm me numra studentësh;universitetet kanë shumë mundësi të tjera të cilat ata vetë duhet ti shfrytëzojnë për të shtuar buxhetin e tyre, duke filluar që nga programet erazmus e deri tek shumë programe të tjera kërkimore-shkencore me karakter aplikativ.

Njëkohësisht, maturantët as nuk duhet të joshen nga bursat studimore për mësuesi, sepse jo çdo i ri ka dëshirë, pasion dhe vullnet të jetë mësues në të ardhmen.

Ne ndeshim një fenomen sot që është ai i largimit të të rinjve, më besoni që ndër 1001 arsye që mund të jenë, një pjesë e mirë e njerëzve që largohen janë edhe faktin se shumë vite me parë pothuaj gjithë dy dekadat e fundit, u tejmbushëm me diploma juridiku, ekonomiku, shkenca politike etj., dhe që në fakt kjo është traume sociale por edhe individuale, sepse i riu e përgatit veten që do punojë si jurist ose si diplomat paçka se si ka qenë rrugëtimi i tij në fakultet, ndaj dhe ata refuzojnë të bëjnë punë që nuk i kanë menduar ndonjëherë se do i bënin. Pra gabimisht, ju kemi rritur pritshmëritë artificiale dhe i kemi përgatitur artificialisht për tu bërë dikush që ata s’do të munden dhe madje as ata vetë në vetveten e tyre nuk e dinë nëse e duan vërtetë këtë profesion apo jo. Ndaj kjo është një arsye pse duhet ti kushtojmë vëmendje fjalës së mësuesve, dhe të gjitha kritereve për tu bërë mësues që të mos përjetojmë në vazhdim të njëjtat skena.

Për "mësuesi", në pikëpamjen time personale dhe profesionale duhet të studiojnë vërtetë më të mirët, por më të mirët midis tyre që e kanë pasion mësuesinë, pasi vetëm ata do të jenë të qëndrueshëm dhe eficient për brezat e ardhshëm

Mësimdhënësit(mësues, edukator) ia kanë paguar "haraçin" kombit, shtetit, qeverisë, shoqërisë, që nga dita kur kanë vendosur të bëhen të tillë, pra mësues, andaj ata nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë më shumë për tu formuar profesionalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Është detyrë e Institucioneve qendrore dhe vendore të arsimit, si dhe institucioneve të arsimit të lartë publikë dhe jo publikë , brenda kapaciteteve institucionale, që të jenë vazhdimisht një derë e hapur kualifikimi monitorimi dhe kontrolli për armatën e mësuesve sepse kjo është në ndihmë të të dyja palëve; sepse më së pari, mësuesit zhvillohen dhe trajnohen vazhdimisht, ndërsa kërkimi shkencor i universiteteve merr orientimin e duhur, e për rrjedhojë edhe vetë ministria e ka më të lehtë kthimin në politika të rekomandimeve apo mendimeve që i vijnë nga ekspertët për të përmirësuar vazhdimisht sistemin. E ceka këtë aspekt sepse pash që më media zbarkuan psikologë e sociologë që kërkojnë vlerësimin e mësuese, pra rritja e presionit ndaj mësimdhënësve për copa kartoni shtesë që të ushtrojnë profesionin e tyre(skenë e ngjashme me disa udhëzime të ministrisë së arsimit të para disa viteve ku i detyronte të merrnin pjesë në konferenca shkencore dhe të përgatisnin artikuj shkencor, duke harruar që janë mësues dhe jo kërkues shkencor dhe rezultati negativ dhe eficienca fasadë e tyre është ende e freskët edhe sot). Për të tills praktika, Finlanda(e cila sot për sot mbetet modeli më i suksesshëm për arsimin parauniversitar e sidomos ai parashkollor dhe fillor) mund të jetë një pikë referimi në drejtim të këtyre politikave, andaj s’ka nevojë për shumë shkencë dhe shpikje për të përmirësuar sistemin, mjafton vullnet institucional por me njerëzit e duhur, jo emërimet e anëtarëve të partisë.

Mendoj se kohët e fundit sikur e kemi harruar pak mirënjohjen dhe meritokracinë; Ndaj unë dua të loboj fortë që të kultivojmë publikisht "Mirënjohjen ndaj kujtdo që jep kontribut dhe "Meritokracinë", për cilindo që përveçse se jep mendjen, zemrën dhe shpirtin për të arritur objektiva, zbaton ligjin dhe rregulloret e punës së tij, se në fund të fundit e gjithë jeta e një mësimdhënësi vërtitet rreth mirënjohjes dhe meritokracisë. Detyra dhe angazhimi qytetar më çon në konkluzionin e qëllimit fillestar të këtij shkrimi: kërkesë llogarie ndaj institucioneve përgjegjëse, sepse asgjë s’mund të ndodhë nëse aktorët funksionarë të aparatit shtetëror nuk lejojnë çarje dhe abuzime të sistemit.

Paligjshmëria fillon nga kryet(ministritë, bashkia, spitali, policia) dhe më pas zbret në bazë...Populli thotë "gjarprit priti kokën, jo bishtin"...ndaj institucionet dhe personat përgjegjës minimalisht t’i bëjnë një autokritikë publike vetes dhe të marrin masa për të zbatuar ligjin duke përdorur funksioni parandalues të tij. As më shumë e as më pak përveç faktit që çdo institucion dhe çdo punonjës i tij duhet të bëj detyrën sipas ligjit, atë për të cilën ai merr para publike në formë rroge mujore. Nuk vuajmë më nga mungesa e ligjeve, vuajmë nga mungesa e vullnetit të funksionarëve për zbatimin e ligjit./dritare.net