Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shija që më la filmi I Love Tropoja!

Shija që më la filmi I Love Tropoja!
Mbrëmë u dha premiera e filmit të Ermal Mamaqit, I Love Tropoja. 5 mijë të ftuar në Pallatin e Kongreseve, ku ishin pjesë familjarë, miq, e artistë. Me pak fjalë,  të gjithë të njohurit ishin mbledhur në një vend.

Filmi  ishte parashikuar të niste në orën 18:00, por në ftesë thuhej se duhet të ishim në Pallatin e Kongreseve, rreth orës 17:00. Në orar ishim pak a shumë 200 veta.

Ndërsa Ermali së bashku me kastin e  aktorëve mbërritën në orën 19:00. Me daulle e lodra Tropoje. Një gjetje e duhur.

Fatmirësisht, 'parada' nuk zgjati shumë, pasi prej dy orësh pritjeje askush nuk ia kishte ngenë të priste edhe më.

Për pak minuta salla u mbush plot, ndërsa Ermali nisi fjalimin e tij.

Ermalin nuk e pashë, por mjafton që ia dëgjoja zërin. Kjo pasi dritat ishin të kthyera nga publiku, jo nga folësi.

Fjalimi i Ermalit.

Si fillim një falje për Robert Ndrenikën i cili kishte pritur dy orë për të parë filmin. Për të tjerët? Epo jo të gjithë janë të rëndësishëm. Më tej:

'Filmi më i bukur i vitit, arritja më e madhe, evinementi më i bukur i bukur i viti, filmi Dy Gisht Mjaltë më i shituri. Me pak fjalë në fjalimin e tij kishte "më i madhi, më i miri, më i bukuri,". Dhe pas  falënderimeve filmi më i bukur i të gjitha kohërave nisi me: pamje të gjoksit të Encës.

Sigurisht, që nuk mund të komentojmë për çdo pjesë të filmit. Në tërësi, "I Love Tropoja", shkaktoi shumë të qeshura në sallë. Kishte batuta të gjetura, që merrnin më shumë vlerë nga aktori që  interpretonte. Si në këtë rast.

Teksa shikoja Irgen  Çelën(Xhoda i Portokallisë) që interpretonte në film, më erdhi ndërmend batuta e Ermali, që u bë virale pak kohë më parë. 'Xhoda mban Portokallinë'. Dhe jo vetëm Portokallinë, por më shumë filmin e Ermalit.

U habita po kështu nga interpretimi i Encës. Një aktore që nuk zhgënjeu në asnjë moment.

Arjola Demiri, një gjetje e duhur. Intepretim perfekt, me dialektin tropojan.

Detaj që nuk përkonte me Marjana Kondin, e cila luante rolin e nënës së Arjolës. Përveçse kishte shumë pak batuta, Marjana ndonëse në rol ishte një tropojane, ngjante sikur kishte vetëm dy ditë që kishte shkelur në Tropojë.

Në film kishte edhe personazhe që futeshin për pak sekonda. Dashnor Diko ishte një prej tyre.

"Kam 30 vjet që ju them, mos e hidh e mos e shkel sepse rrëshqet" , ishte batuta e tij.

Më pas ishte edhe ky në foto, që nuk e kuptova kurrë rolin që kishte.

Siç e ka pohuar edhe shpesh Ermali, për këtë film është përdorur një teknologji e lartë. Dhe ajo që duhet thënë patjetër, është se filmi shikohej po aq qartë e pastër në çdo cep të skenës së madhe.

Në  gjysmën e filmin ndodhi një incident. Për shkak të motit të keq, ikën dritat dhe filmi ndërpritet. Por sigurisht, këto janë probleme që ndodhin, ndaj kjo nuk i ul ndonjë vlerë.

Ajo që prisnin më së shumti, publiku, ishte roli i Ramës. Ndonëse ka një pjesë më pak se dy minuta, shkaktoi shumë reagime në sallë. Duhet thënë se si marketer i zoti, Ermali e ka gjetur 'karremin', për të tërhequr sa më shumë.

Pas rreth dy orësh, filmi përfundoi. Për Ermalin salla dha duartrokitjet më të zjarrta.

Në fjalim hyrës por jo vetëm, edhe më parë Ermali ishte shprehur se ky ishte promovimi i madh që i është bërë ndonjëherë Tropojës. Megjithëse, këtë nuk e pashë në asnjë pjesë. Gjatë filmit, tropojanët ishin ashtu siç paramendonte Ermali: njerëz që të presin me armë te dera, që nëse i kundërshton të drejtojë pistoletën, se çunat e Tropojës në Angli, bëjnë para me drogë. Promovim? Dyshoj.

Ermali reagoi së fundmi për një lajm të përhapur në portale, "Në filmin tim tropojani respekton mikun me vajzën e shtëpisë duke e fut në krevat". Ashtu sikurse e mohoi edhe vetë ai, në asnjë moment të filmit, nuk përcillej ky mesazh.

Por përtej këtyre momenteve të cilat më lanë një shije të hidhur, të pranishmit në sallë, kryesisht të rinjtë, e pritën mjaft mirë filmin. Përtej kritikave të para me lupë, ky film mbushi plot sallën e Pallatit të Kongreseve, dhe do të vijojë ta bëjë.  Ky do të jetë suksesi më i madh për Ermalin, dhe sigurisht për xhepat e tij./dritare.net