
Taso: Më vjen turp që unë kam shtëpi, Lasgushi e Mitrushi nuk kanë!
Dritare.net
Nga Rudina Xhunga
Pogradeci nuk është një nga ato qytete që vjen një ditë, rri një darkë, ikën të nesërmen dhe mbaroi. Në Pogradec rrihet me muaj. Pogradeci është një qytet ku vjen e s’të iket më. Shko në liqen. Nga liqeni pastaj te Taso. Mos e lër pa shkuar një herë në atë rrugicë ku ka shtëpinë një nga njerëzit më identifikues të Pogradecit, piktori i liqenit, Taso.
Intervista me Anastas Kostandinin-Taso
Rudina Xhunga: Ky është Pogradeci siç ka qenë dikur. Nëse s’e ngatërroj, brenda është Pogradeci siç Taso do që të jetë. Këtu është siç ka qenë. Kështu rrinë njerëzit në pikturat e Tasos që kam edhe unë në shtëpi. Rrinë dhe presin që të ndodhë. Unë nuk e ngatërroj ë? Te dera është Pogradeci siç ka qenë dhe brenda siç do të doje ti të ishte?
Taso: Po. E mbajtke mend. Kjo është rrugica siç ka qenë dikur. Kanë qenë banorët e vjetër, se tani janë zëvendësuar. Megjithatë unë e ruaj, sepse këtu jam rritur.
Rudina Xhunga: Ndërsa këtu (pas dere) është Pogradeci siç do ti të jetë. Me kaq shumë ngjyra.
Taso: Kjo është nxjerrë nga një pjesë fundore e ikonave. Zakonisht ikonat kanë diçka që lidhet me Jerusalemin e ri. Dhe Jerusalemi i ri është qyteti ideal. Kjo është një lojë më tepër për t’i marrë mendjen vetes. Është kënaqësi që ke ardhur këtu!
Rudina Xhunga: Edhe për mua. Unë këtu vij përsëri, e përsëri. E bëra rrugën deri këtu me varkë edhe e di ç’më tha ai i varkës, pogradecar i vjetër?
-“Te Taso po shkon? Te Taso është kënaqësi.
Taso: Më duan bashkëqytetarët. Më respektojnë.
Rudina Xhunga: Me biçikletë lëviz?
Taso: Po, po e përdor. Unë kam një biçikletë tjetër që e mbaj sipër në tarracë. Është biçikleta Bjanka që e kemi trashëguar. Me atë kam bërë me mijëra peizazhe, nuk më vinte për ta hedhur. Tani kam marrë biçikletë tjetër. Makinën e përdor me raste, kurse biçikletën më dendur.
Rudina Xhunga: E di çfarë është një qytet për mua? Qyteti nuk është kulla betoni, apo bashkia. Qyteti është njeriu. Pogradeci për mua është Taso. Nuk e kuptoj, si mundem unë të vij në Pogradec dhe të mos e takoj Tason.
Taso: Faleminderit!
Rudina Xhunga: Është edhe Lasgushi. Pogradeci është i Lasgushit. Unë mbas teje do të vete të takoj Lasgushin, por e paske sjellë këtu më duket?
Taso: Po. Në fakt ky është një trill. Por është një trill që mua më ka kënaqur shumë. Kjo është pjesë e një mbeturinë industriale, por e përthyer në një mënyrë të dhunshme. Unë e kam shkëputur. Kjo ka qenë një cisternë, në ish-fabrikën e vjetër të verës në Pogradec, e cila u dëmtua, shkatërrua nga njerëzit në ’97-ën. Mua më ka pëlqyer ta marr dhe ta përdor. Se kjo në vetvete është e bukur si formë.
Rudina Xhunga: Unë e dallova menjëherë që është Lasgushi. Dhe pse ai nuk është.
Taso: Në fakt dalluese është kjo kapelja, e cila është krijuar nëpërmjet një shablloni buke, nga fabrika e bukës së Pogradecit.
Rudina Xhunga: S’mund të jetë përveçse me gjëra Pogradeci, Lasgushi.
Taso: Është dhe bastuni. Kështu që mjafton kaq për ta skicuar Lasgushin, por edhe për ta kujtuar në një mënyrë ekspresive.
Rudina Xhunga: Ke bërë edhe një gjë tjetër në ‘97-ën. Ma ke treguar dikur. S’e mbaj mend mirë. Me plumbat në mur.
Taso: Po kam bërë. Në fakt kam një aty. Është një nga këto tubacionet e ujit të pijshëm të qytetit, që u hodh në erë dhe pjesën e prerë të tubit e gjeta dhe e shndërrova në një vepër arti.
Rudina Xhunga: Këtë bëjnë njerëzit e mirë, njerëzit e mrekullueshëm, të mëdhenj. Tasos nuk i pëlqen fare t’i them këto gjëra, por i them se i ndjej vërtet. Dhe jam e lumtur që njerëz të tillë kanë atë lloj përgjegjësie për qytetin që të ta bëjnë të jetueshëm dhe të bukur, siç është Pogradeci, edhe saj teje, edhe Lasgushit që është aty pa qenë.
Taso:Ai vinte shpesh këtu te mua. Vinte në shtëpinë tonë. Vinte sepse njihte babanë, ishin shumë miq.
Rudina Xhunga: Shkon dhe e shikon aty, Lasgushin e Mumtaz Dhramit?
Taso: Po sigurisht që e shikoj. Tani është gjelbëruar sepse kanë bërë sheshin e luleve. Ia kanë prerë pak pamjen e plotë statujës, megjithatë është bukur. Dëshira është e mirë e bashkiakëve për ta zbukuruar atë qendër dhe për ta bërë shumë më të rehatshme për njerëzit.
Rudina Xhunga: Por prapë ti ndjehesh fajtor që Lagushi nuk flet nga shtëpia e vet.
Taso: Ky është një trishtim i madh shumë. Imagjino tani, Lasgushi piktor, poet, me një jetë shumë të gjatë, me një marrëdhënie të jashtëzakonshme me qytetin. Sikur të marrësh vetëm pjesën e historisë. Nese do të qe një shtëpi të vogël, si ajo e tij, ajo do të jetë mbase shtëpia më e vizituar në Shqipëri. Dhe pse të mos jetë?
Rudina Xhunga: Ajo është e prishur tani?
Taso: Jo nuk është e prishur, por është kthyer në pronë private dhe është jashtë funksionit. Ai nuk e përdor. Duhet gjetur një zgjidhje.
Rudina Xhunga: Bëjeni qytetin me shtëpi Lasgushi se pastaj do të ndodhë si te shtëpia e Tasos. Do të vijnë njerëzit, sepse këtu vjen dhe rehatohesh. Gjen rehatinë e shpirtit që s’ta japin shumë gjëra, s’ta jep asgjë. Sidomos në kohë pandemie, kohë fushate, kur njerëzit bërtasin, ca të tjerë kanë ankth, ca të tjerë vdesin. Ti vjen në shtëpi të tilla edhe çlodhesh. Mua kështu më ndodh jo vetëm kur jam me kamera, unë vij dhe pa kamera.
Taso: Po juve ju kemi mikeshë të familjes. Jeni gjithmonë e mirëpritur.
Rudina Xhunga: Këtu mbaj mend kam zgjedhur një pikturë, sapo kishte lindur Ledia. Në mur ishte piktura e Ledias që ushqente fëmijën dhe unë e mora për vete, për ushqimin e Alanës atëherë.
Taso: Nuk na vjen fare keq. Megjithëse ajo ishte një pikturë shumë intime e imja, që ia kisha bërë vajzës që sapo kishte lindur djalin. Dhe atë e ke ti. Gjithmonë e kam parasysh një gjë të tillë. Unë e kam në foto, por nuk e kam zakon t’i riprodhoj punët.
Rudina Xhunga: E mora se më pëlqeu shumë. Sapo kisha lindur dhe unë Alanën atëherë dhe e mora pikturën e Ledias. Pastaj gjërat vazhduan sepse kur unë shkrova “Përrallat e Pitilushes”, Ledia bëri skicën dhe historia vazhdoi. Kështu janë njerëzit. Takohen një ditë në art dhe nuk ndahen më asnjëherë. Këto janë marrëdhëniet që të shoqërojnë gjithë jetën. Siç është Lasgushi në shtëpinë time. Ti ke bërë katër piktura të vogla, çfarë dukej nga dritarja e Lasgushit dhe i kam unë. I kam blerë te ti. Më duket edhe mua sikur e kam njohur Lasgush Poradecin. Çfarë qyteti, çfarë njerëzit që ka bërë ëë? Nuk e di, por ky është vërtet një qytet që të thërret nëpërmjet tyre dhe është e pafalshme që ata nuk kanë një shtëpi, strehë si kjo.
Taso: Që të dy e kanë shtëpinë. Po kjo është më e pafalshme dhe i bën me faj të dyja autoritetet, qendrore dhe vendore. Ne që jemi pinjollët e tyre dhe që i duam nuk e dëshirojmë këtë gjë. Sepse pa ta nuk kemi identitet. Është pasoja e tyre që përtypim gjithmonë. Dhe në këtë mënyrë transmetohet kultura.
Rudina Xhunga: Çfarë ka Pogradeci përveç Lasgushit dhe Mitrushit që ti s’e le kurrë dhe e tregon kaq shumë?
Taso: Pogradeci ka realitetin e njerëzve të mi. Ka jetën e familjes sime, që është një histori jete qyteti. Unë kam marrë dhe gruan nga Pogradeci.
Rudina Xhunga: Elsa është pogradecare, prandaj e ka mbushur me aq shumë lule. Ato janë vepër arti më vete.
Taso: Elsa është nga familja e njohur e fotografëve të Pogradecit. Me Misto Cicin dhe Pandi Cicin. Kanë qenë tre vëllezër fotografë, por më i famshmi ishte Misto Cici, i cili ka bërë një mrekulli. Për fat të keq nuk e njohin. Ai është tamam në rangun e Mitrushit dhe të Lasgushit. Ka fiksuar ekzotiken e një qyteti të vogël nga Lufta e Parë Botërore, deri mbas ’44-ës. Se pastaj ai është marrë me punë të tjera dhe të gjitha fotografitë që ka bërë në atë periudhë i mbylli në çati. Më vonë u zbuluan dhe priten që të publikohen.
Rudina Xhunga: Unë që kur të kam njohur Taso ti ke qenë cicëroni më i mirë i këtij qyteti për mua. Për vete s’ke folur asnjëherë. Madje kur erdha këtu për herë të parë, kujtova se e kishe muze, nuk e dija që ishin të tuat. Aq pak flisje për vete dhe aq shumë tregoje për të tjerët.
Taso: Në fakt në Pogradec ka pasur shumë njerëz të mëdhenj. Unë po ju përmend një person, midis shumë të tjerëve, si aktori i famshëm Mario Ashiku, i cili është miku im i zemrës, me të cilin kam punuar për një kohë të gjatë. Është vërtetë një artist i mrekullueshëm, ka qenë. Ka krijuar një ringjallje të kulturës në Pogradec, nëpërmjet regjisë së tij.
Rudina Xhunga: Gjithmonë më duket e çuditshme këtu. Ti vjen dhe njerëzit të thonë se ajër si këtu nuk ka. Ti vjen dhe këtu je si në film dhe një pjesë është virtuale, realisht si film, si shtëpia e Tasos. Një pjesë është shkatërrim, është lënë siç ka qenë dhe s’e prek njeri. Në një gjendje pezull, as jetë, as vdekje.
Taso: Po duhet të ketë vëmendje ndaj Pogradeci, ta marrin seriozisht. Sepse Pogradeci nuk dominohet vetëm nga bukuria, panorama e liqenit, e mjafton të shohësh liqenin dhe gjithçka të ka servirur. Jo nuk është vetëm kjo. Nuk e tregon veten në mënyrë kaq të përciptë Pogradeci. Është jeta e brendisë së qytetit dhe njerëzve që kanë jetuar këtu. Vangjush Mio ka bërë mbi 60 e ca peizazhe të mrekullueshme këtu. I ka bërë para ‘44-ës.
Rudina Xhunga: Ke piktura të Mios këtu?
Taso: Vepra origjinale të Mios nuk kam. Por unë e kam pikturuar Mion se e kam pasur idhull. Ai ishte një piktor që e donte shumë Pogradecin.
Rudina Xhunga: Domethënë ti punët e Mios nuk i ke. Por ke Mion, Lasgushin, ke Kadarenë, i ke të gjithë këtu.
Taso: Po. Në fakt Mio vinte pikërisht te ky turizmi i vjetër. Prej parkut që ishte aty pikturonte peshkatarët, varkat që ankoroheshin atje. Vangjush Mio nuk duhej të zhdukej në këtë mënyrë. Nuk e di përse shoqëria jonë ecën përpara nëpërmjet mohimeve dhe shumë rrëmujave, përmes shumë prishjeve dhe punët boshe. Për fat të keq.
Rudina Xhunga: Për fat të keq. Po për fat të mirë ka të tjerë si ti që i ruajnë, kujtojnë dhe tregojnë. Kështu që ka shpresë.
Taso: Në fakt Pogradeci, ka mjaft njerëz interesantë që duhen zbuluar. Shumë nga njerëzit interesantë, sipas traditës së qytetit kanë filluar të vijnë dendur në Pogradec. Këtu vijnë pothuajse gjithë ajka e mjekësisë shqiptare, një pjesë e të cilëve kanë edhe banesat këtu. Për shembull kjo verë e verifikoi këtë gjë. Në Pogradec bëhet një jetë intelektuale edhe në një nivel të konsiderueshëm. Sepse shumë eminenca të kulturës vijnë këtu. Ndoshta ngaqë kanë atë qetësinë që të bisedojnë për gjëra të thella. Jo si në Tiranë. Në Tiranë nuk ta kanë edhe shumë ngenë, sepse mund të kenë shumë punë të tjera.
Rudina Xhunga: Pogradeci ky është. Qytet që ta ka ngenë. Ndaj të ftoj të vish e ta shijosh dhe ta shohësh me sytë e Tasos./dritare.net

















