Na ndiqni edhe në

Editorial

Ju tregoj ku isha më 2 korrik!

Ju tregoj ku isha më 2 korrik!

Nga Dritan Hila

Po eksodi me anije kur ndodhi, se më janë bërë datat lëmsh?

Nejse, mbaj mend që një nga herët kur ndodhi puna e anijeve, se ka pasur disa tentativa, ishim duke pirë në Tiranë. Dikur, mesa duket, ju prinim evenimenteve. Kishim ardhur nga Shkodra të kujtonim vitet e studentllëkut që sapo kishin mbaruar. Për të fjetur, flinim te shokët që ishin ende studentë. Çdo vizitë zgjaste sa mbaronim lekët. Dita e fundit zakonisht ishte ajo kur kruanim xhepat dhe na dilte se kishim aq sa për të blerë një shishe konjak, një late dhe bileta e kthimit.

Por kjo, nuk ishte ajo ditë.

Që t’i rikthehemi heroikës, atë ditë i zumë lokalet me radhë, duke filluar me ferrnetin e mëngjesit, pastaj kafe dhe prapë ferrnet, pastaj drekë tek Shen Prokopi ose Drini, ku menuja kishte romstek i bërë me bukë dhe laprat e mbetura, dhe pija ishte vodka. Nga ora 3-4 pasdite, dëgjuam për punën e anijeve. A nisemi, se kush foli i pari? Nisemi, ishte pergjigja unanime. Po nga të nisemi, ishte pyetja e dytë? Shkojme në Kombinat, tha ai që ishte më esell, aty kalojnë makinat për Durrës, se rruga e vjetër është bllokuar. Morëm autobusin e Kombinatit. Djersë, avuj alkooli, e folur me zë të lartë, dhe tema po dihet. D.m.th punë pijesh dhe femrash. Asgjë për komunizmin. Në fakt, komunizmi brenda nesh kishte vdekur me kohë. Madje nuk kishte lindur kurrë. Aq më pak në një qytet si Shkodra, sundimi i tij nuk kishte karakterin kapilar që mund të kishte në qytetet e jugut. Vetëm sot lexoj histori desidence të tipit Sakharov që i paskëshin shkruajtur të parit dhe ja kishin numëruar tëk e tëk e tëk, apo romane të shkruara në letra cigaresh që i paska djegur sigurimi. Komunizmi kishte vdekur se kishin vdekur, apo ishin dorëzuar shpirtërisht ata që besuan dhe e sollën. Kishte vdekur në Moskë ku edhe lindi. Pa të ishte për ne, i merrnim pleshtat, bashkë me desidentet që kanë dalë sot.

Le të kthehemi tek autobusi. Dikur mbërritëm në Kombinat. Kombinati, ky që është sot edhe atë mot. Më lëvizje të çakorduara, kërkuam të ndalonim një Zis. Zisi ishte plot me njerëz. Gjithsesi ndaloi. Përpjekjet tona për të hypur nga spondet, kundërshtoheshin nga ata që ishin lart. Ama edhe vullneti ynë linte për të dëshiruar. Pa ç’pa shoferi, u nis. Të sharat tona ishin lumë nga pas.

Ç’të bëjmë, hodhi njëri pyetjen. Shkojmë në klub dhe presim të bjerë i nxehti, dhe deri atëherë do kalojë ndonjë makinë, ishte përgjigja më inteligjente. U futëm në një nga klubet e mjera ku shërbehej vetëm ponç portokalli, një pije e tmerrshme si urinë lope, ose konjak Extra, dhe aranxhata që vinin si çaj, pasi akulli që vinte me kallëpe të mëdha nga frigoriferi qendror, kishte kohë që ishte shkrirë.

Gjithë panorama e klubit ishte e përgjithshmja e klubeve shqiptare të asaj kohe, ku një sistem kishte vdekur dhe asnjë nuk e dinte çfarë ishte kapitalizmi. Ishim në limbon e sistemeve.

Pas pak, nga xhamat e mbuluara nga pislleku dhe jashtëqitjet e mizave, pamë Zisin që u kthye dhe shkarkoi njerëzit. Disa prej tyre që erdhën të pinin ujë, na thanë që policia ja kishte dalë të ngrinte postobllok edhe në rrugën e Ndroqit, dhe nuk linte njeri të kalonte. Nga tavolina jonë u dëgjuan pasthirma të tipit “ju zunë gjynahet tona”, megjithëse ne fakt na kishin bërë nder që nuk na lanë të hypnim. Me siguri do kishim rënë nga spondat.

Pija jonë vazhdoi me të shara për policine. Vendimi unanim ishte që do ta provonim nesër kur të ishim esell. Në fakt. Të nesermen nuk provuam asgjë. Ndejëm edhe një dite, që ishte dita kur blemë latat dhe përfunduam në mencën 6, ku hengrëm skallop spinaqi, një letyrë qe ma ka neveritur përjete spinaqin. Te pasnesërmen morëm trenat për t’u kthyer në Shkodër. Asnjë nga tavolina e asaj dite nuk iku emigrant dhe as e kuptuam që paskeshim jetuar kohë heroike. Madje as sot nuk jam i vetëdijshëm për këtë fakt./Dritare.net