3 milionë dollarë grant, ministri Gonxhja takim me përfaqësuesit e Bankës Botërore për zhvillimin e turizmit
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Grupit të Bankës Botërore, në prani të Drejtueses së Divizionit për Ballkanin Perëndimor, znj. Xiaoqing Yu, në vijim të dialogut të nisur mes palëve.

Ky është takimi i dytë në kuadër të një serie diskutimesh teknike mes MTKS, Bankës Botërore, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrisë së Financave, me fokus sigurimin e një instrumenti financiar për mbështetjen e investimeve strategjike në turizëm dhe trashëgimi kulturore.

Gjatë takimit u diskutuan hapat konkretë drejt arritjes së një marrëveshjeje të re financimi, si dhe projektet prioritare. Vëmendje e veçantë iu kushtua nisjes së fazës së studimit të fizibilitetit (“feasibility study”), që do të mbështetet nga një grant prej 3 milionë dollarësh (GFPP). Ky fond synon analizën, përgatitjen dhe përzgjedhjen e investimeve më të qëndrueshme dhe me ndikim afatgjatë.
Bashkëpunimi synon forcimin e modeleve të financimit dhe rritjen e cilësisë së ndërhyrjeve në sektor, në funksion të zhvillimit dhe promovimit të identitetit kulturor dhe natyror të vendit, si dhe zbatimin e strategjisë së turizmit në një plan të koordinuar edhe në kuadër rajonal.
Në takim u theksua rëndësia e përfshirjes së zonave me ekspozim të lartë ndaj flukseve përpunuese, tranzituese dhe pritëse, si Bashkia Vorë, si dhe zonave me vlera të veçanta të biodiversitetit dhe pasurive natyrore, si Pogradeci. Për këto zona u evidentuan sfidat që lidhen me menaxhimin, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e infrastrukturës për komunitetet lokale./L.F-dritare.net