Specialistët: Suplementet nuk ju mbrojnë nga gripi! Ja çfarë duhet të bëni!
Dritare.net

Burimi: Salute.eu
Tregu i suplementeve “për forcimin e sistemit imunitar”, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit, po shpërthen në reklama dhe shitje rekord. Por sa vlejnë në të vërtetë këto premtime? Sipas ekspertëve, asnjeri prej tyre nuk është mjeti i parë për të parandaluar gripin. Mbrojtja e vetme e provuar shkencërisht mbetet vaksina antigripale.
Suplemente: ndihmë për rikuperim, jo për parandalim
Prof. Dario Leosco nga Shoqata Italiane e Geriatrisë thekson se tregu është i mbushur me pretendime të ekzagjeruara. Megjithatë, disa suplemente me standarde të larta prodhimi kanë treguar se mund të ndihmojnë rikuperimin e të moshuarve gjatë dhe pas infeksioneve respiratorë, siç u pa edhe gjatë Covid-19. Por ky efekt nuk ka të bëjë me parandalimin: “Për parandalim nevojitet vaksina”, thekson ai, informon dritare.net
Fëmijët dhe “ankthi prindëror”
Suplemente marrin gjithnjë e më shumë edhe fëmijët, shpesh për shkak të dëshirës së prindërve “për t’i rritur imunitetin fëmijës”, thotë Rino Agostiniani, president i Shoqatës Italiane të Pediatrisë. Ai thekson se të sëmurët janë pjesë normale e rritjes dhe se mjekësia “bëje vetë” është gabim. Çdo suplement për fëmijët dhe të moshuarit duhet përzgjedhur vetëm nga mjeku.
Vaksinimi: mjeti i vetëm i provuar
Vaksina antigripale mbetet metoda e vetme me prova të qarta shkencore për parandalim. Në Itali, mbulesa vaksinale është ende nën 60%, ndërkohë që të moshuarit rrezikohen nga komplikacione të rënda: nga shtrime në spital deri te përkeqësimi i sëmundjeve kronike. Sipas Leosco, edhe sistemi shëndetësor vuan nga mungesa e vaksinimeve.
Jetesa e shëndetshme vlen më shumë se suplementet!
Për fëmijët, Agostiniani këshillon më pak ilaçe dhe më shumë kujdes për stilin e jetesës:
më pak antibiotikë të panevojshëm, që dëmtojnë mikrobiotën;
dieta mesdhetare me fruta dhe perime sezonale;
shmangie të ushqimeve ultra të përpunuara;
dhe “suplementin” më të nënvlerësuar: qëndrimin jashtë në ajër të pastër, edhe në dimër.
“Fëmijët nuk sëmuren më shumë kur dalin në të ftohtë. Përkundrazi, ajri i hapur i ndihmon të forcohen”, thekson pediatri./K.C/dritare.net