
Një skaner këmbësh që përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar shenjat paralajmëruese të insuficiencës kardiake mund të përdoret në shtëpi për të shpëtuar njerëzit nga arresti kardiak, kanë deklaruar studiuesit.
Pajisja bën dhe analizon pothuajse 2,000 fotografi në minutë, në mënyrë të ngjashme me teknologjinë e njohjes së fytyrës, për të llogaritur nivelin e lëngjeve në këmbë dhe kyçe. Edema apo ënjtja, e shkaktuar zakonisht nga grumbullimi i lëngjeve në indet e trupit është një nga tre shenjat kryesore paralajmëruese se insuficienca kardiake po përkeqësohet dhe mund të bëhet kërcënuese për jetën.
Skaneri me AI ka përmasat e një altoparlanti inteligjent dhe mund të njoftojë profesionistët e shëndetit që të ndërhyjnë, për shembull duke rritur dozën e medikamenteve të pacientit.
Pajisja është zhvilluar nga kompania “Heartfelt Technologies” me qendër në Kembrixh dhe montohet në mur, zakonisht pranë shtratit të pacientit. Ajo realizon automatikisht 1,800 foto në minutë të këmbës dhe pjesës së poshtme të këmbës nga disa kënde, duke skanuar deri në një lartësi 50 cm nga dyshemeja. Më pas përdor AI për të llogaritur sasinë e lëngjeve që përmban trupi. Pajisja funksionon edhe pa lidhje WiFi.
Studimi “The Foot Study”, i paraqitur në Konferencën Vjetore të Shoqatës Britanike të Kardiologjisë në Mançester, sugjeron se alarmet që jep pajisja mund të ndodhin mesatarisht 13 ditë përpara se një pacient të përfundojë në spital.
Në studim u monitoruan 26 pacientë me insuficiencë kardiake nga pesë spitale të NHS mes viteve 2020 dhe 2022. Ata u udhëzuan të peshonin veten me peshore të lidhura me Bluetooth.
U zbuluan shtatë raste përkeqësimi të insuficiencës kardiake te gjashtë pacientë dhe një vdekje nga kjo sëmundje.
Studiuesit zbuluan se për ata pacientë që kishin përdorur pajisjen për të paktën dy javë përpara alarmit, koha mesatare e parashikimit para shtrimit në spital ishte 13 ditë. Kur u analizuan të pesë shenjat që identifikon pajisja, koha mesatare e alarmit ishte tetë ditë.
Në të njëjtën kohë, matja e peshës trupore nuk arriti të parashikonte asnjë shtrim në spital për shkak të insuficiencës kardiake, duke sugjeruar se pacientët e kishin të vështirë të ndiqnin këtë metodë, ndërkohë që pajisja me AI nuk kërkonte asnjë veprim nga ana e tyre.
Ky paralajmërim i hershëm mund të lejojë që stafi specialist të reagojë shpejt ndaj ndryshimeve në gjendjen e pacientit, duke shmangur kështu hospitalizimin. Dr. Philip Keeling, autori kryesor i studimit dhe kardiolog në "Torbay and South Devon NHS Foundation Trust", tha:
“Vetëm rreth gjysma e pacientëve të shtruar në spital për shkak të insuficiencës kardiake arrijnë të kenë një rishikim të hershëm nga një infermier i posaçëm që mund të kontrollojë nëse kanë grumbullim të rrezikshëm të lëngjeve për shkak të mosfunksionimit të zemrës. Në kushtet kur kemi mungesë të infermierëve për zemrën, një pajisje si kjo mund të veprojë si një infermier virtual, duke ndjekur gjendjen shëndetësore të pacientëve.”
Insuficienca kardiake është një sëmundje kronike ku zemra nuk arrin të pompojë siç duhet gjakun në trup, zakonisht sepse është dobësuar.
Tri simptomat kryesore që tregojnë përkeqësimin e sëmundjes janë: vështirësia në frymëmarrje, shtimi në peshë dhe ënjtja e këmbëve ose kyçeve.
Duke komentuar rezultatet, Prof. Bryan Williams, drejtor shkencor dhe mjekësor në Fondacionin Britanik të Zemrës (BHF), u shpreh:
“Ky studim i vogël sugjeron se një pajisje e thjeshtë mund të përmirësojë ndjeshëm rezultatet për pacientët në rrezik nga insuficienca kardiake, duke i mbajtur ata jashtë spitalit. Ky është një shembull i mirë i mënyrës se si teknologjia mund të ndihmojë në ndërhyrje dhe trajtime më të hershme, duke i mundësuar njerëzve të ndjekin nga shtëpia një nga treguesit kryesorë të shëndetit të zemrës.”/L.F-dritare.net

















