
Shkencëtarët krijojnë gjakun artificial. I përshtatet çdo grupi
Dritare.net
Transfuzionet e gjakut janë një pjesë jetike e kujdesit shëndetësor dhe shpëtojnë jetë çdo ditë në të gjithë botën. Por mbajtja e një furnizimi të mjaftueshëm gjaku është sfidë, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kërkesa për gjakun O-negativ, i njohur si grupi universal i donatorit, shpesh tejkalon ofertën, ndërsa donacionet kanë jetëgjatësi të kufizuar.
Për të zgjidhur këtë problem, një grup shkencëtarësh japonezë nga Universiteti Mjekësor i Nara-s, të udhëhequr nga Hiromi Sakai, kanë zhvilluar një gjak artificial që mund të përdoret te pacientët me çdo grup gjaku.
Ky gjak artificial krijohet duke nxjerrë hemoglobinën, proteina që përmban hekur dhe transporton oksigjenin në qelizat e kuqe të gjakut, nga gjaku i skaduar i dhuruar. Më pas kjo hemoglobinë encapsulohet në një mbështjellës mbrojtës, duke krijuar qeliza artificiale të kuqe të gjakut që janë të qëndrueshme dhe të sigurta nga viruset. Duke qenë se këto qeliza nuk kanë grup gjaku, nuk kërkohet testim për përputhshmërinë.
Gjaku sintetik mund të ruhet deri në dy vjet në temperaturë ambienti dhe deri në pesë vjet në frigorifer, një përmirësim i madh krahasuar me gjakun e dhuruar, që mund të ruhet vetëm për 42 ditë në frigorifer.
Testimet klinike
Në vitin 2022 filluan studimet e para me disa vullnetarë meshkuj të shëndetshëm, nga 20 deri në 50 vjeç. Ata morën injeksione intravenoze të hemoglobinës artificiale, bartës oksigjeni artificial që imitojnë qelizat e kuqe të gjakut, në doza nga 10 deri në 100 mililitra. Disa vullnetarë patën efekte anësore të lehta, por nuk u vunë re ndryshime të rëndësishme në parametrat jetikë, përfshirë presionin e gjakut.
NoPas këtij suksesi, në mars 2025 filluan testime me doza më të mëdha, nga 100 deri në 400 mililitra. Nëse nuk do të ketë efekte anësore serioze, faza tjetër e studimeve do të vlerësojë efektivitetin dhe sigurinë e trajtimit.
Qëllimi është që qelizat e kuqe artificiale të përdoren në praktikë rreth vitit 2030.
Ndërkohë, Profesori Teruyuki Komatsu nga Universiteti Chuo po zhvillon bartës të tjerë artificialë të oksigjenit, duke përdorur hemoglobinë të mbështjellë me albuminë për të stabilizuar presionin e gjakut dhe për të trajtuar hemorragjitë dhe goditjet në tru. Studimet në kafshë kanë treguar rezultate premtuese dhe tani po planifikohet kalimi në testime klinike me njerëz./K.C/dritare.net

















