Lira Gjika: Dëgjova në kopësht t’i thonë fëmijës mos u bëfsh. Ç’faj ju kanë!
Dritare.net
Nga Lira Gjika
Shprehjen “mos u bëfsh”, kisha ca kohë që nuk e dëgjoja të qarkullonte në “rrugët e edukimit”. Por e paskësha patur gabim. Duke shkuar një ditë për në kopsht dëgjoj një zonjë në moshë të mesme që shante duke përsëritur shprehjen “mos u bëfsh se na plase shpirtin” një fëmijë 5-6 vjeç .
Zonja jo vetëm mallkonte, por këtë gjë e bënte duke folur në shumës, pra nuk ishte vetëm ajo që lodhej e mërzitej nga fëmija. Të paktën kështu dukej nga mënyra e të shprehurit të kësaj zonje. Kjo papërgjegjësia jonë në përdorjen e fjalëve sipas ngarkesës tonë emocionale është problem serioz në edukimin e fëmijëve.
Kjo shprehje që krijon shije të keqe kur e dëgjon kushedi sa e trishton fëmijën?
Kjo shprehje kur i drejtohet fëmijës i transmeton dyshime për veten nëse vlen, nëse e duan e shumë dyshime e vuajtje të tjera te cilat depozitohen në memorie. Të bëhesh është “një fjalë që tregon veprim në të ardhmen. Aristoteli dhe shumë filozof të tjerë janë marrë me shprehjen “të bëhesh” apo procesin e “të bërit” si procesi më i rëndësishëm për t’u realizuar në njerëzore. Si një proces që i ndodh vetëm njeriut. Proces që është i lidhur me fjalën, mendjen dhe të ardhmen. Prindër mësues gjyshër kujdes me këtë shprehje. Ti thuash fëmijës “mos u bëfsh”do të thotë që i uron të mos jetë. E kuptoj që prindërit nuk e dëshirojnë këtë gjë, por fjalët i përdorin pa u menduar.
Fëmija është i vogël dhe i vetëm nuk mund të jetojë dhe as të vetedukohet. Kur të rriturit përdorin pa i menduar fjalë apo shprehje të rënda apo “plumb”, kështu i cilësojnë psikologët e psikanalistët shprehje e fjalë të tilla, çfarë presin nga fëmijët? Modeli janë ata të rriturit, si flasin ata, si sillen ata. Për më tepër pse duan t’i bëjnë fëmijët të ndihen të pasigurt e të fyer?/dritare.net