
Dhimbja e gjoksit është një nga simptomat më të frikshme për shumë njerëz, por sipas mjekut kardiolog Prof. Anesti Kondili jo çdo dhimbje lidhet me zemrën.
Ai shpjegon se ekziston një mënyrë e thjeshtë dhe praktike për të dalluar një emergjencë kardiake nga një shqetësim muskulor ose pulmonar.
Sipas mjekut, dhimbja tipike kardiake shfaqet zakonisht gjatë sforcimit fizik, ka karakter shtypës dhe nuk ndikohet nga frymëmarrja. Në të kundërt, një dhimbje që shtohet kur marrim frymë thellë, kollitemi apo lëvizim trupin, është shumë më e mundshme të jetë muskulore ose e lidhur me mushkëritë, dhe jo me zemrën.
“Nëse pacienti thotë se dhimbja shtohet me frymëmarrjen, unë si mjek qetësohem,” thekson ai, duke nënvizuar se kjo pyetje e thjeshtë mund të ndihmojë menjëherë në orientimin drejt diagnozës së duhur.
Megjithatë, mjeku paralajmëron se çdo dhimbje e re, e fortë ose e pashpjegueshme në gjoks duhet të vlerësohet nga specialisti. E.P/dritare.net