Na ndiqni edhe në

Shëndet

Aktivitet është të lodhesh, jo të shikosh dyqanet. Profesori Italian: Jetëgjatësia varet nga e ngrëna!

Aktivitet është të lodhesh, jo të shikosh dyqanet. Profesori

Corriere della Sera

Të ushqehesh me masë, të zgjedhësh me kujdes çfarë vendos në tryezë, duke i dhënë përparësi frutave dhe perimeve, të shmangësh mishin e kuq dhe gjalpin – duke i zëvendësuar me vaj ulliri – dhe të bësh aktivitet fizik të vërtetë. Kjo është, në thelb, “receta” e profesor Silvio Garattinit për një jetë të gjatë dhe në shëndet të mirë.

Onkologu dhe farmakologu i njohur italian, themelues i Institutit të Kërkimeve Farmakologjike Mario Negri, i cili sapo ka mbushur 97 vjeç, i ka përsëritur këto këshilla gjatë pjesëmarrjes së tij më 12 dhjetor në emisionin La volta buona, në televizionin publik italian Rai Uno, të drejtuar nga Caterina Balivo.

Jetëgjatësia dhe mungesa e edukimit shëndetësor

Sipas Garattinit, tema e jetëgjatësisë dhe e parandalimit të sëmundjeve vazhdon të jetë e nënvlerësuar, veçanërisht në sistemin arsimor. “Në shkolla mungon pothuajse plotësisht edukimi për shëndetin. Do të mjaftonte vetëm një orë në javë, në çdo klasë, me mësues të përgatitur. Kjo do të sillte ndryshime të mëdha dhe do të ndihmonte në krijimin e një kulture të vërtetë të parandalimit”, theksoi profesori.

Ushqimi: pak, i larmishëm dhe i balancuar

Në lidhje me ushqimin, mesazhi i tij është i drejtpërdrejtë: “Duhet të hamë pak”. Sipas tij, rregullat e një diete të shëndetshme bazohen në larmi dhe në sasi të moderuara. “Një dietë e balancuar dhe jo e tepruar është faktor kyç për jetëgjatësinë”, nënvizoi Garattini.

Ai këshillon konsum të përditshëm të frutave dhe perimeve, shmangien e ushqimeve shumë të yndyrshme dhe përdorimin e vajit të ullirit në vend të gjalpit. Kujdes i veçantë duhet treguar edhe ndaj alkoolit: “Vera është kancerogjene, sepse përmban alkool”, tha ai.

Mos i hiqni plotësisht vaktet

Garattini nuk është ithtar i heqjes dorë nga vaktet e ditës. “Unë në mesditë të paktën pi një lëng portokalli ose ha një banane. Diçka duhet ngrënë”, shpjegoi ai, duke theksuar se organizmi ka nevojë për ritme të rregullta.

Ai gjithashtu relativizoi përfitimet e agjërimit intermittent, duke theksuar se ajo që ka më shumë rëndësi nuk është orari i të ngrënit, por sasia totale e ushqimit: “Mund të hash edhe pesë herë në ditë, për sa kohë që sasia e përgjithshme është e kufizuar”.

Sipas tij, studimet tregojnë se njerëzit që ndjekin këtë lloj agjërimi përfundojnë duke konsumuar pothuajse të njëjtën sasi ushqimi si ata që hanë rregullisht gjatë ditës, prandaj “nuk sjell përfitime reale për shëndetin”.

Moderimi, çelësi i shëndetit

“Moderimi është gjëja që njerëzit duan ta dëgjojnë më pak”, theksoi Garattini. “Duhet ta mësojmë organizmin të mos përjetojë luhatje të mëdha, të shmangë tepricat dhe të ruajë ritme të rregullta”.

Edhe gjatë festave, sipas tij, nuk është e nevojshme heqja dorë totale nga ëmbëlsirat tradicionale: “Nëse ha një herë panetone, nuk ndodh asgjë”, tha ai, duke ftuar në një qasje realiste dhe të ekuilibruar.

Dietat: çfarë funksionon dhe çfarë jo

Në lidhje me dietat, Garattini shprehu mbështetje për dietën vegjetariane, duke sqaruar se vegetarianët marrin proteina shtazore përmes vezëve, djathit dhe shpesh edhe peshkut.

Ndërsa për dietën vegane, ai shprehu shqetësime: “Veganët janë më të rrezikuar, jetojnë më pak, kanë më shumë fraktura kockore dhe janë të detyruar të marrin vitaminë B12, e cila mund të përbëjë një faktor rreziku për tumoret”.

Sa i përket dietave ketogjenike, profesori i konsideron ato pak të dobishme, përveç rasteve kur rekomandohen nga mjekët për patologji specifike.

Aktiviteti fizik: jo shëtitje, por lodhje reale

Një tjetër shtyllë e jetëgjatësisë, sipas Garattinit, është aktiviteti fizik – por vetëm nëse bëhet seriozisht. “Duhet të lodhesh. Të ngjitësh shkallët është aktivitet fizik, ndërsa të ecësh duke parë vitrinat jo”, tha ai.

Ai rekomandon 150 deri në 300 minuta aktivitet fizik në javë, të shpërndara në disa ditë dhe jo të përqendruara vetëm gjatë fundjavës.

Në studio pati edhe momente humori, kur Giancarlo Magalli tha me shaka: “Nëse jetëgjatësia varet nga të ngrënit pak, unë do të kisha vdekur në moshën 12-vjeçare”. Garattini iu përgjigj me të qeshur: “Nëse ha pak, do të jetosh më gjatë”. “Po do të argëtohem më pak…”, ishte replika e fundit e Magallit.

Profesori e mbylli me një mesazh të qartë: “Unë mund të jap informacionin shkencor. Pastaj secili është i lirë të bëjë zgjedhjet e veta”.

Një filozofi jetese e thjeshtë, e mbështetur në dekada kërkimesh shkencore, që sipas Silvio Garattinit mbetet çelësi për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme./L.F-dritare.net