Sa mall për ushqimin, yjet dhe Liqenin e Pogradecit!

Nga Fjorda Llukmani

Nuk i tregova askujt kësaj here që do të shkoja në Shqipëri. Përveçse qëndrova 3 ditë gjithsej, doja ta shijoja me familjen dhe shokët më të afërt, pa shpenzuar kohë kot nëpër kafe e takime njëra pas tjetrës. Erdha me linjën Wizz Air Vjenë-Ohër pasi më kushton më lirë se të zbres në Tiranë. Me këtë rast, si ditë e diel thashë po mbledh dhe shoqërinë për një tur në Pogradec. Nga avioni herët në mëngjes dallova Linin dhe pak Drilonin. Unë jam e fiksuar pas gjeografisë dhe shikimit nga ajri si zog.

S’doja ta mendoja që po vija në Shqipëri vetëm për të shkuar te dentisti, e thashë një ditë të lirë që kam po e shfrytëzoj për turizëm. Në aeroportin e Ohrit më priti një djalë i ri shqiptar i Maqedonisë që punonte taksixhi. Pagova 10 euro deri në kufirin e Qafë Thanës. Hera e parë që e kaloja kufirin në këmbë. M’u duk vetja si refugjate, me valixhe në dorë, çantë krahu. Kur isha midis dy kufijve që mesa di unë quhet tokë neutrale vrisja mendjen: “Çfarë ndodh nëse bëj ndonjë gabim këtu? Nga cila polici do të arrestohem?“

Duke zbritur Qafë Thanën fillova të shikoja liqenin e Ohrit. Një nga pamjet e mia të preferuara në Shqipëri. Pogradecin e kam përzemër mbase dhe më shumë se Korça.

Si fillim prej liqenit, sepse më pëlqejnë vendet që kanë ujë. E dyta prej njerëzve të cilët janë të qetë e të buzëqeshur, pastaj prej ushqimit që më shkon goja mjaltë, sigurisht pasi kam kohë pa ngrënë gjëra të shijshme. Po ashtu sepse ndodhet vetëm dy orë nga Tirana dhe vjen kollaj fare.

Kisha planifikuar të hanim te “Poradeci”, por dhe pse i kam dhënë provat që jam guida më e mirë që shoqëria ime mund të gjejë, prapë ngulmonin për të shkuar diku tjetër me pamje. Dikush sugjeroi “Rosën e Tymosur” të cilën s’e kam provuar, por mora spunto nga një status i Dritan Hilës që më bëri përshtypje, e m’u bë qejfi që nuk shkuam atje.

Kemi gjithmonë idenë të shkojmë në vende të arreduara bukur, apo që u del nami. Ama harrojmë se disa prej tyre e prishin dorën e ushqimit rrugës. “Poradeci” ndodhet në qendër te pedonalja e Pogradecit. Përherë të parë isha para 3 vjetësh tek zhvillonim një trajnim për gazetarinë dhe profesor Mark Marku na sugjeroi që hahej mirë. Sa herë shkoj më kujtohet profesori, që i ka rënë pikës.

U qetësuam buzë liqenit në tavolina e karrige të braktisura, tek vështroja lëvizjen e zogjve në liqen.

Tufa-tufa fluturonin bashkë e ndalonin në breg, buzë liqenit. Lere pastaj diellin e ngrohtë që më solli në vete.

Pasi ishim dystuar mirë e shtyva grupin të bënim një shëtitje me varkë në Drilon. S’më rrihet mua në të njëjtin vend shumë gjatë. Çmimet e varkës janë qesharake, tip 50 lekë ose 100 lekë personi nëse jeni më shumë se 6. E kuptoni sa lirë? Gjynah ta humbësh po ju ra rruga. Djali që i jepte varkës na tregonte dhe emrat e mjelmave edhe karakteristikat e tyre. “Sa mirë që i njeh more”- i thosha unë. “Po unë këtu rri gjithë ditën, i kam si kolege pune.”,-thoshte ai duke qeshur.

LEXO DHE :  Gjendet i pajetë një 34-vjeçar, në Vlorë

Pastaj na tregonte për pemët që janë kastile rezistente ndaj ujit. Vetëm kur gjysma e  shoqërisë time ia këpusin: “Sa mirë bone nona që na solle ta bënim këtë shëtitje, se kishim provuar ndonjëherë.” U habita fare! Më falni po në cilin rruzull tokësor jetoni? Vjen në Drilon e s’bën shëtitje me varkë? Gjithsesi kurrë nuk është vonë për të provuar dhe gjëra që mbase i nënvlërësojmë sepse janë gjithmonë aty.


Tushemishti po ashtu plot njerëz. Te shëtitorja ku gjendet përroi s’kisha shkuar deri në fund.

Çdo gjë e bukur dhe e ftilluar më së miri. Ama emrat e restoranteve më bënë lëmsh, sepse të gjitha kishin si kryefjalë teto Ollgën. Pashë një tufë zonjash në moshën e gjyshes sime që flisnin me njëra-tjetrën e komentonin shtëpitë e bukura vërdallë. “Kjo vila qenka yll! I kalon edhe përroi në bahçe. Aman se ndonjë politikan apo kriminel  e ka se s’ka mundësi ta ketë bërë kaq të bukur.”-dëgjoja prej tyre. Mbaroj fare të fus hundët në biseda të tilla, aq sa mezi më rri goja pa dhënë opinionin tim personal. Në një prej restoranteve që tentuam të uleshim, por kishte cmime alla Dhërmiu, takova edhe një grup të shokëve të fakultetit me të cilët dhe kemi punuar bashkë nëpër media. Secili prej tyre jeton në vende të ndryshme, e prapë u puqëm rastësisht m’u në Tushemisht. Ja për këto gjëra më mungon Shqipëria, që takon njerëz të dashur pa pritur.

Ora po shkonte 4 dhe ne akoma ishim pa ngrënë. Bënë sa bënë debat për vendin ku do të hanim dhe si përfundim vendosën t’u besonim sugjerimeve të mia të cilat nuk zhgënjejnë kurrë. I bëra një telefon Loshit të “Poradecit”, i cili më kënaq kur më përgjigjet edhe me mënyrën si i trajton klientët.

Kur arritëm atje kishte bërë gati dhe tavolinën me sallatë e të gjitha. Poradeci është vend i vogël dhe duhet rezervuar se s’bën më përpara. Ka një qoshe me divanë dhe oxhak që të jep përshtypjen e shtëpisë. Nëpër mure sheh vetëm piktura të Pogradecit në stinë të ndryshme të vitit. Hëngrëm mish kaprolli, derri dhe iriqi. Epo iriq s’më kishte shkuar mendja që do të haja ndonjëherë. Buka e bërë vetë si kulaç shijon aq shumë kur e ngjyen në tavën e dheut plot lëng mishi.

Pasi mbushëm barkun filluam të dëbatonim për çështje të ndryshme. Kjo është një tjetër gjë që më mungon nga Shqipëria. Njerëzit e marrin seriozisht çdo lloj diskutimi e të gjithë bëhen eksperta të asaj teme në atë moment.


I lashë në sofër buzë oxhakut duke zgjidhur ekuacione të vështira.

Më duhej të ikja. Kur po ecnim me makinë, kuptova sa më kishte marrë malli të shikoja yjet. Shkëlqente qielli si tapet. Aty i dhashë shumë të drejtë Lasgushit në vargjet që i thurte qytetit të tij te  poezia “Dremit Liqeri“. “Tashi po shuhet nene mal, qyteti i ngrysur në zi. Po ndizen yjte dal nga dal. Plot bukuri! Plot fshehtësi! Në këtë çast perëndimor, ndaj po më dehen sytë e mi. Kuptoj si shpirtin vjershëtor, ma frymëzon nja mall I ri.”/dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.