Rudina e ke gabim që mbron Xhulian që përhapi panik
Dritare.net
Shënim nga Mira Kazhani Gazetarja Rudina Xhunga ka postuar sot në Instagramin e saj babain e Xhulias, vajzën e panikut në Porto Romano i cili me dhimbje kërkon lirimin e së bijës pas arrestimit për një status në Facebook ku përhapte panik e bënte thirrje që njerëzit të vraponin, ku paralajmëronte krisjen e hidrovorit dhe se do shpërthenin depozitat me gaz. Sipas babait lajmi është marrë nga një portal në Vatikan ku Xhulia i beson dhe shpesh shpërndan lajme. Kjo në fakt është kleçka që mund të na thyejë të gjithëve dhe që sigurisht po ta mendosh me zemër dhe emocione 25 vjeçarja ka bërë një status me qëllim të mirë, ndoshta edhe në kushte të një post-traume, e kushedi mbase i pëlqen pak edhe disi vëmendja fejsbukiane. Facebook dihet, është kthyer në një bankë gjyqi, në një dhomë terapie ndonjeherë jo rrallë edhe skizofrenie. Por nëse ne nuk heqim dorë nga emocionet dhe nisim të gjykojmë veprimet e pasojat e tyre, këtu Xhulia nga Porto Romano nuk e ka të lehtë. Ligji e thotë qartë se çfarë ndëshkimi merr nëse përhap panik në popullatë. (Neni 267 i Kodit Penal parashikon dënime me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet burg për rastet kur përhapin informacion “me qëllim që të ngjallë gjendje pasigurie dhe paniku”). Nëse Xhulia do vuajë dënimin, Xhuliat dhe Xhuliot e tjerë nuk do marrin përsipër të shpëtojnë botën nga Facebook-u i tyre sepse ajo llogaria e vogël aty në internet është bërë që Xhulia të komunikojë me miqtë, të lexojë horoskopin, lajmet, të shohë fotot e miqve, të postojë të sajat, të japë një koment për një fenomen, të kritikojë, edhe të shajë po deshi, por jo të marrë përsipër të vendosë çfarë duhet të bëjë qyteti i saj. Marrëzi! Edhe në pasojat e këtij tërmeti, tek emocionet duhet hedhur vështrimi dhe analiza. Po të ishte vepruar me ndërtimet me logjikë dhe jo me emocione dhe interesa, ndoshta ai zotëria i pallatit në Durrës që u shemb s’do i hiqte kolonat për të bërë një kafe të ‘bukur’ Po të kishim ne politikanë më normalë sesa emocionalë do kishim më shumë qen nuhatës dhe kamera termike tek rrënojat. Ky është problemi i jonë i madh si shoqëri që mendojmë me zemër, si në rastin për Xhulian, mendojmë sot për sot,
shpejt e shpejt, hë se gjynah, hë se e kam mik, hë se ndoshta nuk ndodh gjë e madhe se bëj tre kate shtesë. S’na gjen gjë ne! Dhe kështu një vargmal faktorësh tipikisht shqiptarë e Mesdheu që na bejnë një vend emocionesh. Hap televizorin gjen emocione, emocione më shumë sesa municione, për fat të keq. Më shumë sesa lotin e ministres Xhaçka do kishim dashur të shihnim në duart e heronjve, dorashka – meqë ra fjala! Ndaj duhet që të mos ndihmojmë askënd në mënyrë që të ndihmojmë vërtetë shoqërinë tonë, vetveten. Sot e dimë sa i vlen lëkura arsyetimit, asaj arsyes së ftohtë që aplikojnë vendet e zhvilluara që ne guxojmë edhe tallim. Ata falë kësaj ‘të mete’ në ndjenja ia kanë dalë të bëjnë shtet, shkolla, media, gradaçela, dhe mbi të gjitha një jetë më të sigurt përtej fatkeqësive natyrore që nuk i kemi në dorë si racë njerëzore, por që tek reagimi tregojmë kush jemi si nivel shoqëror. Për të gjitha këto, Rudina e ka gabim që na thotë: ta ndihmojmë Xhulian se është një vajzë e re. Postimi i Rudina Xhungës: Babai i Xhulia Aliajt flet për arrestimin e së bijës, ne Durres. Xhulia Aliaj është ndaluar mbrëmë nga forcat e antiterrorit. Ajo mbahet ne burg për përhapje lajmesh te rreme. Xhulia është studente e UAM Durrës, familja e saj ka ardhur nga Tropoja ne Porto Romano. Mbrëmë ajo ndau ne FB, lajme qe i mori nga gazeta e Vatikanit l”Avvenire. Fake News për Porto Romanon. Te paverifikuara dhe pa burim. Por Xhulia e beri se e lexon dhe beson këtë gazete. Është besimtare katolike dhe i referohet shpesh here gazetës ne FB. Do lutesha te rishikohej rasti i Xhulias. Mund te këtë gjykim ne liri, pasi vajza nuk paraqet rrezikshmëri. Nuk e njoh dhe e di qe ky nuk eshte shqetesimi kryesor ne keto dite post termet, por nje vajze e re eshte ne burg dhe nuk ka kryer veper penale me dashje. Boll njerez kemi ne varr dhe te tjere pa shtepi. Ta ndihmojme Xhulian, te kthehet ne familje!/Tiranapost.al.