Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rrëfimi i diplomatit holandez: Ja si e zmbrapsa dhunën e Sali Berishës!

Rrëfimi i diplomatit holandez: Ja si e zmbrapsa dhunën e Sali
Daan Everts, ish-ambasadori i OSBE-së i bën radiografinë politikës shqiptare: Ka interesa personale 

Nga Ylli Pata 

Daan Everts, diplomati holandez që u përball me Sali Berishën, kur ky i fundit udhëhoqi një opozitë të dhunshme ndaj qeverisë së socialistëve 20 vjet më parë, në një rrëfim ekskluzivisht për TemA Javore tregon momentet e tensionit në vjeshtën e 1998-ës por flet edhe sot për protestat e dhunshme të opozitës së Lulzim Bashës. 

Në intervistën e tij, ish-ambasadori i OSBE tregon se si u refuzua nga Sali Berisha në vitin 2009 për të drejtuar misionin vëzhgues të OSBE-ODIHR-it në zgjedhjet parlamentare që më pas u kontestuan nga opozita  socialiste, por flet edhe për Kosovën, që udhëhoqi pas luftës si i pari ndërkombëtar ndërtimin e shtetit të ri.

Zoti Ambasador, 20 vjet më parë ju keni qenë një faktor i rëndësishëm në Shqipëri. E dini që në këto ditë vendi po përballet në një situatë të ngjashme në lidhje me protestat e dhunshme? 

Po, fakti që situata politike në Shqipëri është e polarizuar është mjaft shqetësuese. 

Një kolegu juaj, ambasadori i OSBE-së, Bernd Botschard është sulmuar nga militant të opozitës. Edhe atëherë ju morët sulme nga PD-ja… 

Në vitin 1998, ne si OSBE u ndodhëm në një situatë të tillë ku unë bashkë me stafin tim depërtuam mes turmës së demonstruesve. Ata na thanë që të largoheshim, por nuk pati sulme personale. 

Çfarë mbani mend nga ajo kohë e vështirë e 1998-s kur ju shkuat në mes të protestave të opozitës, e që e ndaloi efektivisht dhunën? 

Ne u përpoqëm që ta ndalnim dhunën duke bërë thirrje të vazhdueshme në radio e televizion për qetësi dhe për vetëpërmbajtje. Një mesazh i fortë që i dërgova edhe Berishës personalisht ka të bëjë me faktin se marrja e pushtetit me forcë nuk do të pranohej kurrë nga vendet evropiane, ndërkohë që një puç i dhunshëm do ta kthente Shqipërinë pas në kohë dhe do ta largonte atë nga rruga e integrimit euroatlantik. 

Në këto ditë në Holandë po flitet shumë për Shqipërinë, ju e keni ndjekur këtë debat? 

Po, ekziston problemi i azil kërkuesve që abuzojnë me sistemin bujar holandez, i cili ofron strehim për ata që i largohen luftës dhe terrorit. Por ndërkohë, kemi edhe përfshirjen e disa shtetasve shqiptarë në trafiqet e drogës. Për fat të keq, këto elemente kriminale i japin një imazh të keq shqiptarëve në përgjithësi. 

Ka kaluar shumë kohë që nga viti 1998 dhe Shqipëria ende nuk është stabilizuar. Ju njihni mirë ambientin politik në Shqipëri e Ballkan. Sipas jush përse ky impas? 

Ky ngërç ka të bëjë me mungesën e tolerancës dhe të shpirtit demokratik. Sigurisht që korrupsioni nuk ndihmon për këtë gjë. Ky nuk është një problem tipik shqiptar, por një problem që e shohim në të gjitha vendet. Arma më e mirë kundër tij është transparenca në qeverisje, shtypi i lirë dhe sistemi i pavarur i drejtësisë. Këto shtylla të demokracisë janë të rrezikuara në shumë vende të Evropës. 

Në Shqipëri, kryefjala e politikës është reforma në drejtësi që po mbështetet shumë nga komuniteti ndërkombëtar, kryesisht SHBA e BE. Por edhe në kohën tuaj nisi një reformë në drejtësi e mbështetur nga OSBE-ja që drejtonit ju? 

Po, ne dhamë ndihmesën tonë për krijimin e një sistemi drejtësie të pavarur. Ka shumë mënyra për ta arritur këtë, por kjo kërkon vullnet politik dhe konsensus politik. Për fat të keq, partitë politike përdorin pushtetin politik për të shtrirë ndikimin e tyre në fusha të tjera. Kjo bie ndesh me sistemin demokratik që bazohet në sistemin e kontrollit dhe të ekuilibrit të pushteteve. 

Në vitin 2009, ODIHR ju propozoi ju si kryesues i Misionit Vëzhgues të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare, por kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, nuk ju pranoi dhe refuzoi kandidaturën tuaj. Ju e mësuat këtë refuzim? 

Po, z. Berisha nuk e kuptonte që besnikëria ime ndaj Shqipërisë nuk ndikohej nga faktorë personal. Kam frikë se politika në Shqipëri ka të bëjë më shumë me individë të veçantë se sa me vizione dhe programe për të ardhmen. 

Ju keni qenë ambasadori i parë i OSBE-së në Kosovën e pas luftës dhe ishit pjesë kryesore e UNMIK për ndërtimin e një shteti të ri. Kosova sot është një shtet por ende jo shumë normal. Çfarë mendoni ju se po shkon gabim? 

Është një shtet i ri që duhet të përballet me sfida të ndryshme, përfshi këtu edhe sistemin e drejtësisë apo çështje që lidhen me korrupsionin. Pengesat e brendshme me të cilat përballet vendi e ndërlikojnë situatën. Në krahasim me 20 vite më parë, është bërë një progres i jashtëzakonshëm. Unë jam optimist për të ardhmen e Kosovës nëse kjo e fundit arrin një marrëveshje me fqinjin verior. 

Z ambasador, a do të shkruani kujtimet tuaja për përvojën në Tiranë e Prishtinë? 

Po, së shpejti do të botoj një libër për Shqipërinë dhe Kosovën. (TemA Javore)