
Vogue shkruan për dasmën e Alex Soros. Fjalimi më pikant, nga Edi Rama!
Dritare.net

Të shtunën, Huma Abedin – strategjiste politike, autore dhe bashkëpunëtore e gjatë e Hillary Clinton – u martua me investitorin dhe filantropin Alex Soros në shtëpinë e tyre në Water Mill, New York. Çifti u njoh në tetor 2023 gjatë një feste të organizuar nga James dhe Nicky Hilton Rothschild dhe u fejuan në qershor 2024, kur Soros i propozoi me një unazë me diamant prerje smeraldi.

Fillimisht kishin planifikuar të iknin për t’u martuar në fshehtësi, por pas një feste fejese të organizuar nga Hillary Clinton dhe Anna Wintour, planet ndryshuan dhe u vendos data e dasmës. Ceremonia u mbajt në shtëpinë e çiftit dhe u organizua nga Raúl Àvila dhe ekipi i tij, me ndihmën e Vogue dhe Sache Taylor. Abedin ishte e qetë dhe e relaksuar gjatë gjithë organizimit.

Dasma zgjati dy ditë. Të premten u zhvillua një ceremoni intime në shtëpinë e babait të Alex në Southampton, ku u firmosën Nikah (në nder të fesë myslimane të Abedin) dhe Ketubah (në nder të traditës hebraike të Soros). Abedin veshi një fustan me dantellë të personalizuar nga Erdem dhe më pas një fustan me motive lulesh nga Oscar de la Renta.
Të shtunën, në ceremoninë kryesore, ajo u shfaq me një fustan të frymëzuar nga Audrey Hepburn, dizenjuar nga Sarah Burton për Givenchy. Detajet përfshinin një rrip delikat dhe inicialet e çiftit të qëndisura në degë ulliri mbi copën prej mëndafshi. Stilisti Bailey Moon kujdesi për të gjitha paraqitjet e saj, ndërsa grimi dhe modeli i flokëve ishin realizuar me një stil natyral e elegant.

Pavarësisht motit të paqëndrueshëm, ceremonia vazhdoi pa probleme. Në momentin kur Abedin po shkonte drejt vendit të ceremonisë, ajo dhe të tjerët u ngjeshën në një furgon për të mbrojtur fustanin nga balta dhe shiu – një moment që e bëri të qeshte dhe të ndihej e qetë. Ceremonia nisi pikërisht kur reshjet u ndalën.
Gjatë ceremonisë dhe darkës, pati fjalime nga djali i Abedin, Jordan, vëllai i madh i Alex-it, Jonathan Soros, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Anna Wintour (me ndihmën e Jimmy Fallon), James Rothschild dhe Daniel Sachs. Djali i Abedin foli për dashurinë që ka parë te çifti dhe për rëndësinë e saj në jetë. Jimmy Fallon, në stilin e tij komik, solli të qeshura gjatë fjalimit.
Një nga fjalimet më të spikatura të mbrëmjes erdhi nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili, me humorin e tij karakteristik, tha një shprehje që shkaktoi të qeshura mes të ftuarve. Ajo përfshinte një thënie rreth preferencës për vejushat mbi të divorcuarat. Duhet të ishe aty për ta kuptuar, thanë të ftuarit, duke e cilësuar fjalimin e Ramës si një nga kulmet e mbrëmjes.

Pas darkës, Abedin veshi një fustan të dytë metalik nga Marchesa për të kërcyer gjatë gjithë natës, ku performuan Boyz II Men dhe DJ-Nice.

“Ndjehem sikur një valë dashurie më përfshiu,” tha Abedin një ditë më pas. “Jam e mbushur me gëzim dhe mirënjohje.”
“E gjithë kjo ishte surrealiste,” shtoi Soros. “Jam me të vërtetë me fat.”/L.F-dritare.net

















