Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Edvin Kulluri: PD drejt shkrirjes, opozita vetëasgjësohet

Edvin Kulluri: PD drejt shkrirjes, opozita vetëasgjësohet

Në një intervistë shpërthyese në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku, në DritareTV, Edvin Kulluri, ish-deputet dhe një nga zërat kritikë të së djathtës shqiptare, bëri një analizë të ashpër për gjendjen e Partisë Demokratike, figurat kryesore të saj dhe situatën politike në vend.

Kulluri theksoi se sot në Shqipëri, nuk është më e nevojshme që qeveria e Edi Ramës të asgjësojë opozitën, pasi ajo po e bën këtë vetë.

"Po të them në '45-ën, kur vrau deputetët, nuk pati më deputetë herën tjetër që hynë në garë. Kurse sot opozita po bën shokun Enver. Po asgjëson veten. Pra nuk ka nevojë sot të asgjësojë Rama opozitën. Asgjesojnë veten e tyre."

Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e rotacionit politik, por në thelb qëndron një krizë e thellë morale dhe intelektuale e opozitës:

"Ky vend po shkon keq e më keq, me këtë qeveri dhe me këtë opozitë, dy. Opozita është në gjendje të mjerueshme: të njëjtët njerëz që humbasin çdo dy vjet rrinë prapë aty si hujë. Bërtasin kot në Parlament, hedhin flakadane, pastaj bëjnë pazare me Ramën dhe fillojnë nga e para."

Ai ironizoi militantët dhe mbështetësit e PD-së që vazhdojnë të besojnë tek e njëjta kastë politike:

"Këta 500 mijë a kanë një përgjegjësi o mik? Si s’kanë? Nuk e dinë këta? Sa vite kam që them që kjo PD nuk i fiton kurrë zgjedhjet? Po këta kanë vesh dhe mendje, apo janë copa tullash, copa betoni?"

Për Gazment Bardhin, Kulluri tha prerë se nuk e njeh dhe nuk ka pasur asnjë bashkëpunim me të:

"Unë jam te brezi tjetër i PD-së, brezi që ka fituar ndonjëherë. Nuk e njoh Bardhin. Nëse do e njihja atë PD, do isha atje. Unë u katandisa PD-ja kështu dhe ika."

Sa i përket Flamur Nokës, ai u tregua sarkastik dhe i prerë:

"Si mund të kem pritshmëri nga Noka? Apo nga ndonjë tjetër nga këta personazhe qesharakë që s’kanë bërë asgjë përveçse të rrinë nëpër zyra."

Kulluri foli edhe për periudhën kur iu përgjigj ftesës së Lulzim Bashës për t’u rikthyer në PD, por theksoi se qëndrimi i tij nuk ishte për Bashën si person, por për një përpjekje për ndryshim të modelit politik. Megjithatë ai ishte kritik edhe ndaj tij dhe mënyrës se si Basha e udhëhoqi partinë:

"Po të shkoja për veten time do kisha qëndruar te foltorja. E dija që ishin më shumë se këta. Por s’kam mbështetur kthimin e Berishës. Kam mbështetur foltoren si lëvizje. Kam dalë borxh Berishës dhe Bashës dy herë. Ata nuk duan të dëgjojnë. Nuk duan të ndryshojnë. Le të rrinë aty dhe mos të qahen më."

Për dorëheqjen e Dash Shehut, Kulluri tha se ishte një veprim i përgjegjshëm dhe i munguar në politikën shqiptare:

"I vetmi që dha dorëheqjen si drejtues partie dhe koalicioni. Ky është veprimi më korrekt që mund të bëjë një politikan normal dhe i përgjegjshëm. Ndryshe nga këta të tjerët që nuk njohin asnjë përgjegjësi."

Kulluri e përshkroi PD-në aktuale si një trup të kalbur politik, të mbushur me njerëz pa moral dhe pa vizion:

"Këta janë si çimkat. Të hapësh dollapin, gjen pallto, xhaketa, gjithçka mbushur me çimka. Janë aty, nuk dalin më. E kanë shkatërruar gjithçka."

Në përfundim, ai u shpreh se PD është drejt shkrirjes dhe nuk ka më kapacitet për të rikthyer shpresën tek qytetarët shqiptarë:

"PD-ja nuk ofron më asgjë. Është drejt shkrirjes. Jam dakord me zotin Topi që thotë se ka mbaruar misionin. Mbase prej vitesh. Ne nuk kemi dashur ta besojmë. Por kaq ishte."/K.C/dritare.net