Rikthehet ora dimërore, akrepat shkojnë 60 minuta pas
Dritare.net

Këtë të diel ka hyrë në fuqi ora dimërore. Akrepat e orës janë kthyer 60 minuta pas, duke shënuar përfundimin e orës verore.
Ndryshimi është bërë gjatë orëve të para të mëngjesit, kur në orën 03:00 akrepat janë kthyer në orën 02:00. Kjo do të thotë se qytetarët kanë përfituar një orë më shumë gjumë.
Kthimi i orës dimërore ndodh çdo vit të dielën e fundit të muajit tetor, ndërsa ora verore rikthehet të dielën e fundit të marsit. Ky sistem synon të përshtatë orarin e aktiviteteve të përditshme me ndryshimin e dritës natyrore gjatë stinëve.
Megjithatë, ndryshimi i orës vijon të jetë një temë diskutimi në vendet e Bashkimit Evropian, ku prej vitesh është debatuar për mundësinë e heqjes së këtij sistemi dhe mbajtjen e një ore të vetme gjatë gjithë vitit./dritare.net