

Nuk ka ditë që mos ketë një zhvillim të ri për reformën, ku gjithçka po luhet më shumë në rrafshin mediatik. Reforma ngjan se nuk do të miratohet, dhe mbase më mirë kështu. Një klasë politike e dështuar, nuk mund të pillte një krijesë të saktë. Bllokimi që ka pësuar vendi në një limbo tranzicioni, është e paprecedentë në gjithë Evropën Lindore, me të cilën Shqipëria pati të njëjtën histori. Nuk mund t’ia lemë këtë prapambetje tonën as faktit që patëm komunizmin më të ashpër, as daljes tonë 2 vjet me vonesë në rrugën e demokracisë, dhe as prapambetjes së popullsisë. Tashmë jemi të vetëdijshëm që egziston një pakt i klasës politike që doli nga tranzicioni që të mbajë këtë statusquo. Ku ka si pushteti dhe favoret që rrjedhin prej tij.
Por edhe shpresa që këtë impas ta zgjidhë reforma në drejtësi është e kotë. Madje mund të prodhojë një monstër më të frikshme se kjo që kemi. Gjyqësori, nuk mund të marrë përsipër rolin e politikës. Është politika që pjell gjyqësorin dhe jo e anasjellta.
Se çfarë do të thotë një përmbysje e roleve, e kemi parë përpara 20 vjetësh në Itali. Rasti italian i “duarve të pastra”, tregoi se kur gjyqësori tenton të zëvendësojë politikën, kemi katastrofa. “Duart e pastra”, jo vetëm nuk e rregulluan Italinë, jo vetëm shkatërruan një klasë politike që e kishte bërë Italinë të madhe, por ishin faktori kryesor që solli në fuqi Silvio Berluskonin dhe degjenerimin e Apenineve që 20 vjet rresht shikonte teleromancat e gjyqeve dhe pastaj aventurave seksuale të Berluskonit. A solli ndryshim? Jo. Madje edhe një nga protagonistët e asaj aventure, gjykatësi i famshëm Di Pietro, përfundoi në një politikan i korruptuar.
Ajo që do të shpëtojë shqiptarët, nuk është një “deux ex machina”. Nuk do të kemi një zgjidhje me shpatë, ku të shohim këtë klasë politike pas hekurave. Nuk do të ketë revolucione dhe as skena sekuestrime pasurish të ’45-ës. Ajo që mund të na shpëtojë është ndërgjegjësimi ynë për nevojën e kalimit të klasës politike egzistuese në muze. Arshivimin e saj. Dilema e madhe është si dhe kujt t’i japim votën. Ne jemi dëshmitarë se edhe ata që ngjajnë si shpresa, përfundojnë në rrogëtarë të pushtetit. Ne kemi parë sesi ata që dalin në protesta nuk e bëjnë për të thyer sistemin por për t’u bërë pjesë e tij ose marrë lëmoshë prej tij. Madje nuk durojnë më shumë se një vit apo një muaj që të shpërblehen për “revoltë” e tyre. E megjithatë ky është ushtrimi dhe eksperimentimi i demokracisë. Është votimi gjithmonë e gjithmonë i alternativave të reja, i kontratave të reja me politikën dhe prishja e tyre sa herë që politika shkel fjalën e dhënë. Jemi në fazën kur ideologjia nuk ka më vlerë dhe militantizmi shfrytëzohet paskrupëllsisht nga mbartësit dhe përdoruesit. Ndaj është koha e një hapi të ri, jo nga politika por nga votuesi./dritare.net

















