Na ndiqni edhe në

Shqip

Sa milione dollarë duhen për të pasur një senator shqiptar në Amerikë! Ja çfarë thotë avokati!

Sa milione dollarë duhen për të pasur një senator shqiptar

Renis Nushaj, kandidati shqiptar për Senatin e Shtetit Michigan në SHBA, po e ndërton fushatën e tij jo vetëm me përvojën dhe angazhimin personal, por edhe me mbështetjen e komunitetit shqiptar në Amerikë. Në një intervistë për Dritare TV me Rudina Xhungën, Nushaj foli për sfidat reale të një fushate në SHBA: jo vetëm votat, por edhe fondet.

“Fitorja nuk vjen vetëm me ide, por me organizim. Fushata jonë do të kërkojë rreth 1 milion dollarë për të qenë konkurruese. Me 1.5 milion, e fitojmë,” – tha Nushaj, duke shtuar se në SHBA çdo donacion duhet të jetë i deklaruar dhe vetëm nga individë amerikanë. Kontributi maksimal që një person mund të japë është 2,450 dollarë, ndërsa kontributet më të vogla, edhe 100 apo 200 dollarë, janë thelbësore.

Ai e tha hapur: “Na duhen 1,000 shqiptarë që japin nga 1,000 dollarë ose 500 shqiptarë që japin maksimumin. Dhe e kemi fushatën.”

Përvoja e tij si avokat i suksesshëm me 20 vite në shërbim të komunitetit dhe mijëra klientë shqiptarë i ka dhënë Renisit jo vetëm rrjetin, por edhe besimin për të ndërtuar një fushatë nga vetë shqiptarët, për shqiptarët.

“Ne kemi dhënë gjithmonë për të tjerët. Tani është momenti të japim për veten tonë. Për të pasur zërin tonë në politikën amerikane,” – tha Nushaj.

Shqiptarët në SHBA nuk mund të japin fonde nga Shqipëria, por çdo qytetar me shtetësi amerikane mund të kontribuojë. Dhe këtë herë, çdo dollar është një gur themeli për të parë për herë të parë një shqiptar të ulet në Senatin e Michiganit, një zë që flet edhe shqip./dritare.net