
Si u bë një shqiptar kryetar i Partisë Demokratike në SHBA!
Dritare.net
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partia Demokratike është një nga dy forcat politike më të mëdha dhe me ndikim. Është partia e Franklin Roosevelt, John F. Kennedy, Barack Obama dhe Joe Biden. Por kjo parti e madhe nuk ekziston vetëm në Uashington. Ajo është e organizuar në çdo shtet, në çdo qytet, lagje, komunitet.
Pikërisht aty, në qytetin Troy të Michiganit, një shqiptar, Renis Nushaj, është sot kryetar i Partisë Demokratike lokale, një arritje e jashtëzakonshme për një komunitet që dikur largohej nga Shqipëria për të kërkuar mbijetesë, dhe sot jep drejtim në zemër të demokracisë më të madhe në botë.
Renisi nuk e fitoi këtë post rastësisht. Ai e nisi i vetëm si avokat shqiptar në Michigan, duke ndihmuar qindra emigrantë me çështje ligjore, duke dëgjuar problemet e tyre dhe duke u bërë zëri i tyre. Për më shumë se 15 vite, ai u angazhua në strukturat lokale të partisë, fillimisht si sekretar për buxhetin dhe më pas si një nga figurat më aktive në komunitet.
Për të qenë kryetar, duhej të votohej nga të gjithë anëtarët e partisë në qytetin e tij, amerikanë, jo vetëm shqiptarë. Por besimi që kishte ndërtuar ndër vite si avokat, aktivist dhe qytetar e bëri kandidaturën e tij të padiskutueshme. Me organizim, përkushtim dhe vizion, ai u zgjodh për një mandat dyvjeçar dhe sot është një nga shqiptarët e paktë në Amerikë që udhëheq një strukturë zyrtare të Partisë Demokratike.
Por për Renisin, kjo është vetëm fillimi. Ai tashmë ka shpallur kandidaturën për Senatin e Shtetit Michigan, me synimin për të çuar zërin e shqiptarëve në vendimmarrje të lartë.
Nga emigrant në ’97 te drejtues partie në SHBA, Renis Nushaj është prova se integrimi nuk është vetëm mundësi, por përgjegjësi./dritare.net

















