
Një shqiptar në Senatin Amerikan 2026. Kush është avokati që po bën historinë!
Dritare.net
Renis Nushaj është një emër që shqiptarët në Amerikë dhe në Shqipëri do ta dëgjojnë gjithnjë e më shpesh. Në vitin 1997, si shumë të rinj të asaj kohe, Nushaj u largua nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. Iku me vështirësi, por me një vendosmëri të rrallë për të ndërtuar një të ardhme ndryshe. Dhe ia doli!
Sot, pas 28 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Renis Nushaj është një avokat i njohur në Michigan, me një studio ligjore me 12 avokatë dhe mijëra klientë shqiptarë. Por historia nuk ndalet këtu: ai është aktualisht kryetari i Partisë Demokratike për qytetin Troy në Michigan dhe ka shpallur kandidaturën për Senatin e Shtetit në vitin 2026.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin Shqip në Dritare TV, gazetarja Rudina Xhunga riktheu për publikun historinë e Nushajt, e parashikuar – siç e kujtoi vetë Renisi, që në intervistën e parë. “Ju e thatë që herën tjetër do vinit si kandidat. Dhe ja ku jemi!” – tha Nushaj me emocion.
“Unë nuk shoh fall. Unë shoh fakte,” – iu përgjigj Rudina Xhunga, duke theksuar se përvoja e gjatë me njerëz i jep intuitën për të dalluar ata që do të ecin larg. E Renis Nushaj është një nga ata. Ai e nisi i vetëm, por sot përfaqëson mijëra shqiptarë dhe synon të bëhet zëri i tyre në institucionet më të larta shtetërore të Amerikës.
Renis Nushaj flet me krenari për komunitetin shqiptar, për përfshirjen e tyre në politikë dhe për nevojën që të mos jenë më vetëm donatorë të fushatave të të tjerëve, por vetë përfaqësues të vendimmarrjes. Kandidatura e tij për Senatin e Michiganit është një hap historik jo vetëm për të, por për të gjithë diasporën shqiptare./dritare.net

















