
Zjarri në Elbasan, reagimi i Mbrojtjes Civile dhe situata në terren
Dritare.net
Prej më shumë se 72 orësh, strukturat e emergjencës vendore dhe qendrore janë në terren për të përballuar situatën e krijuar nga zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Elbasan. Sipas një njoftimi zyrtar të shpërndarë sot nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, operacioni vijon me intensitet të lartë dhe situata mbetet dinamike dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Mbi 100 forca janë angazhuar në operacion, përfshirë trupa nga Bashkia Elbasan, bashkitë fqinje dhe Forcat e Armatosura. Në terren janë dislokuar 10 mjete zjarrfikëse dhe 20 mjete të specializuara për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Njëkohësisht, forcat xheniere dhe mjetet e rënda vetshkarkuese po punojnë për mbulimin e vatrës së zjarrit, ndërsa pompa thithëse me kapacitet të lartë po mundësojnë hedhjen direkte të ujit në zonat ende aktive.
Operacioni mbështetet gjithashtu nga ndërhyrja ajrore, ndërsa ekipi i ekspertëve të Forcave të Armatosura ndodhet në terren për të kryer matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes dhe rrezikshmërisë mjedisore.
Autoritetet theksojnë se mbeten të angazhuara për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe për të minimizuar ndikimin mjedisor nga zjarri. Publiku do të vijojë të informohet në mënyrë të rregullt mbi zhvillimet e fundit./K.C/dritare.net

















