Rama: Shqipëria po zbulohet nga e gjithë bota. Pritëm 12 milionë turistë
Dritare.net
Shqipëria ka kaluar nga një prej vendeve më të izoluara të Europës në një destinacion turistik që vitin e kaluar priti rreth 12 milionë vizitorë të huaj. Shifra u bë publike nga kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Bruksel, ku foli për transformimin e turizmit shqiptar dhe ambicien për ta kthyer vendin në një destinacion të njohur në mbarë botën.
Rama kujtoi se në fillimet e këtij transformimi, Shqipëria numëronte rreth 2 milionë vizitorë, duke e cilësuar rritjen e mëvonshme si një ndryshim të rëndësishëm në profilin ndërkombëtar të vendit.
“Kur nisëm këtë udhëtim transformues, numëronim 2 milionë turistë... Vitin e kaluar, 12 milionë të huaj. Mes tyre, japonezë, amerikanë, amerikano-latinë, kinezë, izraelitë, vizitorë nga Lindja e Mesme”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, rritja e turizmit po i jep Shqipërisë mundësinë të ndryshojë edhe perceptimin që ka ekzistuar për vendin për dekada me radhë.
“Ishim Koreja e Veriut e Europës”
Duke folur për të kaluarën e Shqipërisë, Rama e krahasoi vendin me një prej shteteve më të izoluara në botë.
“Kur Kroacia ishte destinacion për europianët, ne ishim vendi më i izoluar në Europë, ishim Koreja e Veriut e Europës”, tha ai.
Rama theksoi se, pas daljes nga izolimi, Shqipëria u përball edhe me stereotipe që, sipas tij, kanë ndikuar për një kohë të gjatë në mënyrën se si vendi perceptohej jashtë kufijve.
“Synimi ynë? Bota”, u shpreh kryeministri, duke nënvizuar ambicien për të tërhequr vizitorë nga tregje gjithnjë e më të largëta.
Nga Europa drejt tregjeve të reja
Rritja e numrit të turistëve, sipas Ramës, nuk kufizohet vetëm te tregjet europiane. Ai përmendi vizitorë nga Japonia, SHBA-ja, Amerika Latine, Kina, Izraeli dhe vendet e Lindjes së Mesme si pjesë e fluksit të turistëve që po zbulojnë Shqipërinë.
Kryeministri renditi sigurinë, mikpritjen, gastronominë, detet dhe relievin malor ndër faktorët që, sipas tij, po e bëjnë Shqipërinë gjithnjë e më tërheqëse për turistët ndërkombëtarë.
“Kemi ushqim të shijshëm, njerëz mikpritës dhe, në një hapësirë mjaft të vogël brenda këtij perimetri tonë, kemi dy dete, të gjitha llojet e maleve. Ka kaq shumë larmi, saqë brenda një jave mund të përjetosh kaq shumë gjëra”, tha Rama.
Ai veçoi gjithashtu rritjen e numrit të turistëve spanjollë, duke theksuar se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje edhe në tregjet ndërkombëtare.
Në përfundim të fjalës së tij, Rama e lidhi transformimin e turizmit me një proces më të gjerë ndryshimi të vendit, duke thënë:
“Ajo që kam mësuar nga e gjithë kjo betejë është që, në fund të fundit, për të ndryshuar vendin, duhet të ndryshosh vetveten.”