Rama pas protestave: Me gurë nuk negociohet
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestave të dhunshme, duke dënuar përdorimin e gurëve dhe përplasjet me punonjësit e Policisë së Shtetit. Gjatë deklaratës së tij, Rama theksoi se shteti nuk mund të negociojë përballë dhunës, ndërsa i cilësoi aktet e tilla si të papajtueshme me një protestë legjitime.
“Po përballen me një valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë arsye legjitime, për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria”, deklaroi Rama.
Kryeministri përdori një gur për të ilustruar rrezikun që, sipas tij, paraqet dhuna ndaj efektivëve të policisë, duke nënvizuar se pesha dhe pasojat e përdorimit të tij mund të jenë të rënda.
“Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton ky, atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama iu referua edhe së kaluarës së Shqipërisë, duke paralajmëruar se pasojat e dhunës mund të lënë plagë që kërkojnë vite për t'u shëruar. Megjithatë, ai bëri dallimin mes protestuesve të dhunshëm dhe atyre që, sipas tij, protestojnë në mënyrë paqësore.
Në vijim të deklaratës, kryeministri kritikoi atë që e cilësoi si ndikim të ideologjive ekstremiste te një pjesë e të rinjve. Ai përmendi lëvizjen Antifa dhe pretendoi se protestues të caktuar janë frymëzuar nga ideologjia e saj, të cilën e përshkroi si një qasje të orientuar drejt shkatërrimit.