Rama: PD u dha strehim politik protestuesve të dhunshëm, duan të rikthejnë 21 Janarin
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama akuzoi Partinë Demokratike se u ka dhënë “strehim politik” protestuesve të dhunshëm, ndërsa pretendoi se të miturit po përdoren në përplasjet me Policinë e Shtetit.
Gjatë deklaratës së tij, Rama u shpreh se, sipas tij, organizatorët e protestave synojnë të provokojnë një incident të rëndë me pasoja fatale, për ta përdorur më pas politikisht dhe për të krijuar paralele me ngjarjet e 21 Janarit.
“U gjetën të miturit, që merren dhe vihen përpara me shufra hekuri dhe çohen atje mish për top, duke ëndërruar që një polici t’i shpëtojë dora dhe t’i marrë jetën një të mituri”, deklaroi Rama.
Kryeministri iu referua edhe ngjarjeve të 21 Janarit 2011, duke akuzuar kundërshtarët politikë se kërkojnë të krijojnë një barazim mes qeverisjes së tij dhe asaj kohe, kur gjatë protestës së opozitës u vranë katër protestues.
Në përfundim, Rama vlerësoi qëndrimin e efektivëve të policisë përballë situatës së tensionuar, duke theksuar se vetëpërmbajtja e tyre, sipas tij, i shërben shtetit dhe qytetarëve.
Deklaratat e kryeministrit vijnë pas përplasjeve gjatë protestave, ndërsa akuzat ndaj opozitës dhe pretendimet për synimet e protestuesve përfaqësojnë qëndrimin e tij politik.