Rama njofton krijimin e Ministrisë së Administratës Publike, në krye të saj Adea Pirdeni
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se javën e ardhshme do të krijohet Ministria e Administratës Publike, e cila do të drejtohet nga Adea Pirdeni, aktualisht ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin.
Gjatë prezantimit të platformës “Shkalla e Meritës”, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se qeveria do të ndërmarrë një hap të ri në organizimin e administratës shtetërore, përmes krijimit të një ministrie të dedikuar për këtë sektor.
Sipas Ramës, administrata publike është kthyer në një nga çështjet qendrore të punës së qeverisë dhe të procesit të ndërtimit të shtetit europian shqiptar. Për këtë arsye, ai theksoi nevojën për një strukturë të veçantë, e cila do të zgjerojë përgjegjësitë dhe objektivat në këtë fushë.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht se tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë dhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë konfirmoi gjithashtu se ministria e re do të drejtohet nga Adea Pirdeni, e cila aktualisht mban postin e ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin.
“Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë dhe ta çojë përpara vetëm ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni”, u shpreh Rama.
Njoftimi u bë gjatë prezantimit të platformës “Shkalla e Meritës”, e cila synon ndërtimin e një administrate profesionale dhe të bazuar në meritë. Sipas objektivave të prezantuara, forcimi i administratës publike shihet si një element i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, me synimin e deklaruar për vitin 2030.