Rama: Hezitimi i Nishanit për dekretimin e ministrave? Presidenti po bisedon me Kushtetutën

Në Parlament ndodhen dy dekretet e Presidentit për shkarkimin e dy ministrave, Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj.

“Nga Presidenti i Republikës janë dy dekrete për shkarkim ministri, depozituar më 17 shkurt të këtij viti”, njoftoi nënkryetarja e Parlamentit, Valentina Leskaj, në kryesim të seancës plenare.

Por megjithëse janë në rendin e ditës, dekretet e shkarkimit të dy ministrave nuk do të votohen.

Lajmi është konfirmuar për Top Channel nga burime zyrtare brenda mazhorancës, e cila pret nga Presidenti edhe dy dekrete të tjera. Ato të emërimit të ministrit Arben Ahmetaj te Financat dhe të Milva Ekonomit tek Zhvillimi Ekonomik.

Por ka shumë mundësi, që këto dekrete të mos mbërrijnë në Parlament brenda afatit kushtetues 7-ditor. Burime zyrtare nga Presidenca konfirmuan për Top Channel se, Presidenti Bujar Nishani, në respekt të Kushtetutës, ka vendosur të mos dekretojë emërimin e dy ministrave përpara se Parlamenti të marrë në shqyrtim dy dekretet e shkarkimit.

Nëse palët nuk ndryshojnë pozicione, kjo do të thotë se kriza institucionale mes Presidencës dhe Kryeministrisë mund të përshkallëzohet shpejt në krizë kushtetuese, që mund të kërkojë edhe interpretim nga Gjykata Kushteteuse.

Në këtë rast, sipas burimeve nga qeveria, ajo mund të ankimojë në këtë gjykatë çështjen, nëse Presidenti ka të drejtë të mos nxjerrë dekretet e emërimit të ministrave, përpara se Parlamenti të shqyrtojë dekretet e shkarkimit.

Eksperti i së Drejtës Kushtetuese, Ilir Rusmali, ministër i Drejtësisë dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve gjatë qeverisë “Berisha”, tha për Top Channel se, në të gjitha republikat parlamentare si Shqipëria, vullneti është i kryeministrit dhe ky vullnet verifikohet nga Parlamenti, ndërsa Presidenti ka vetëm 7 ditë kohë për të kryer veprimin solemn të dekreteve të shkarkimit dhe emërimit të ministrave.

LEXO DHE :  Ja pse nuk duhet t'i krihni flokët, kur i keni të lagura!

“Kushtetuta i ka caktuar Presidentit 7 ditë afat dhe nuk e lidh procedurën e mëparshme apo vijuese me qëndrimin e Presidentit. Emërimi dhe shkarkimi i ministrave e lidh veprimin e Presidentit vetëm me datën e propozimit nga kryeministri dhe me asgjë tjetër”, tha zoti Rusmali për Top Channel.

Gjatë qeverisë së kryeministrit Rama, Presidenti Bujar Nishani e ka provuar më shumë se një herë, se ka nxjerrë në të njëjtën ditë dekretet e emërimit dhe të shkarkimit të ministrave. Edhe atëherë, rasti ka qenë me Arben Ahmetajn, kur për shkak të ndryshimit të emërtimit të Ministrisë së Ekonomisë, Presidenti nxori dekretin e shkarkimit dhe emërimit të Ahmetajt për të njëjtin post, me emër të ndryshuar.

Por, në mes të kësaj krize institucionale është dikush që nuk ka humbur kohë, dhe as nuk ka pritur dekretet e emërimit të ministrave të tij. Në një mbledhje me donatorët ndërkombëtarë, kryeministri Rama ka gjetur mënyrën për të prezantuar ministrin e ri të Financave.

“Dua t’iu shpreh të gjithë mbështetjen e qeverisë, timen, të ministrit të padekretuar të Financave”, ka thënë Rama.

TCH: Zoti kryeministër, a jemi përballë një krize kushtetuese për aq kohë sa Presidenti nuk ka dekretuar dy ministra?

Kryeministri Rama: Mos u mërzisni, nuk ka asnjë problem. Ministrat vazhdojnë punën.

TCH: Keni biseduar me Presidentin për dekretimet?

Kryeministri Rama: Nuk kam nevojë. Presidenti bisedon me Kushtetutën, Kushtetuta bisedon me Presidentin dhe pasi merren vesh bëhet dekretimi.

TCH: Po kur nuk merren vesh?

Kryeministri Rama: Ju e dini që unë nuk flas asnjëherë me “nëse”. Kjo, sepse kemi atë frazën e bukur shqipe, që nuk ka nevojë t’iua kujtoj, sepse të gjithë e kanë parasysh tani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.