Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Punësuan policë privatë me diploma gjimnazi false, 1 i ndaluar e 3 në hetim

Punësuan policë privatë me diploma gjimnazi false, 1 i ndaluar e
Një punonjës i një policie private është ndaluar dhe tre të tjerë po hetohen në gjendje të lirë nga Policia e Tiranës, pasi dyshohen se kanë punësuar persona të ndryshëm me dokumente të falsifikuara.

Bëhet fjalë për diploma false, me të cilat kanë qenë të pajisur 3 punonjës sigurie të një SHPSF, që ndodhet në Paskuqan, për të cilat sipas Policisë mund të ketë qenë në dijeni edhe administratori i kësaj shoqërie.

Diplomat e shkollës së mesme dyshohet se janë falsifikuar nga shtetasi me iniciale E.R., 35 vjeç, jurist i kësaj shoqërie, i cili është ndaluar nga Antikrimi Ekonomik i Tiranës, me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Ndërsa ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për tre punonjësit e sigurisë së SHPSF, shtetasit me iniciale Ç.K., 37 vjeç, E.G., 44 vjeç dhe A.B., 46 vjeç, në emër të të cilëve figuronin diplomat e falsifikuara. Nga ana tjetër, oficerët e Policisë kanë sekuestruar për verifikim edhe gjithë dokumentacionin e shoqërisë private të sigurisë fizike, që tashmë po verifikohet nëse ka parregullsi të tjera.

Gjithashtu, po verifikohet edhe administratori i kësaj shoqërie, nëse ka pasur dijeni për punësimet e paligjshme, apo nëse i ka plotësuar kriteret e kërkuara me ligj për shoqëritë private të sigurisë fizike. “U ndalua një person dhe u shoqëruan 3 të tjerë, pasi dyshohet se gjatë verifikimit të dokumentacionit për SHPSF, iu gjetën e bllokuan në cilësinë e provës materiale 3 diploma të shkollave të mesme, të dyshuara të falsifikuara”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës