Pse nuk mundemi të kuptojmë kosovarët dhe një libër ndryshe nga Haki Morina!
Dritare.net
Haki Morina është një shqiptar i Kosovës i keqtrajtuar që në adoleshencë të tij nga pushtuesit serbë.
Me aktivitet që në gjimnaz, është përndjekur, burgosur e torturuar nga pushtuesit, por ca më shumë nga bashkatdhetarët.
Asnjëherë në aktivitetin tim, tregon ai në librin autobiografik “Jetë në rrugëtim”, nuk më burgosën serbët, por ishin bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë që më arrestonin e torturonin.
Është një libër që të qartëson për kalvarin ku ka kaluar gjysma jonë dhe që i ka bërë të ndryshëm nga ne.
Nuk mund të mos ngjethesh kur autori tregon sesi i burgosnin me dhjetëra veta në një qeli; sesi i lidhnin me pranga afër kaloriferëve dhe nga mungesa e higjienës koka u zinte një lëng veshtullor të bardhë me erë të keqe; sesi merreshin në pyetje dhe një polic bënte të mirin e një të keqin, si e si për ta detyruar të pranojë aktivitetin; apo sesi këta “shqiptarë” bënin kokoroçin me bashkëkombësin, por qurraviteshin përpara kolegëve të tyre, qoftë edhe boshnjakë.
Të lexosh librin e tij kupton se shoqëria kosovare nuk ka qenë uniforme në rezistencën e saj ndaj pushtuesit. Dikush pranonte të bëhej bashkëpunëtor; dikush të heshtte; dikush të zhgënjehej kur pa se cila ishte Shqipëria pasi hapem kufijtë.
Evolucionin e shoqërisë kosovare autori e tregon sesi ish-komunistë, anëtarë të LKJ-së, u shndërruan në themelues të LDK-së; sesi këta u kujdesën që në partinë e Rrugovës të shmangnin tipat intransigjentë si Morina dhe të ishin të kujdesshëm me okupatorin.
Autori tregon sesi shqiptarët edhe të burgosur, ishin të ndarë në klane dhe shpesh aspak solidarë me bashkatdhetarët e tyre.
Rrëfimi i tij ka çaste prekëse kur tregon vizitën e fundit që nëna i bëri në burg dhe ai kuptoi se nuk do ta shikonte më gjallë.
Autori tregon pastaj sesi u arratis në Shqipëri, por nuk merret me gjendjen ekonomike të saj, por si një patriot i vërtetë tregon për mikpritjen e bashkatdhetarëve të tij dhe përjetimet kur preku Jerusalemin e vet.
Haki Morina më vonë është themelues i FRESSSH-it dhe aktivist i UÇK-së.
Aktiviteti i tij është më i hershëm se i shumë prej atyre që morën poste, por modestia dhe analiza e tij, është korrekte, megjithëse shokët e dikurshëm nuk gjetën një punë sado të thjeshtë për të në Kosovën e lirë.
E megjithatë ai nuk bën si gore, aq më shumë të kënaqet me humbjen e PDK-së. Madje me korrektesë përpiqet të gjejë gabimet që çuan në humbjen e saj.
Gjithë sa më sipër i shkrova qoftë si një borxh moral për korrektesën e tij për të më nisur librin me postë, por edhe si një falënderim pasi ai libër më bëri të mësoj shumë gjëra.
Shqiptarët e Kosovës, ndryshe nga ne, kanë qenë për 100 vjet nën një regjim shtypës gjenocidist shtazarak si ai serb.
Kosovarët, jo për një, dy apo katër vjet kanë provuar një pushtim që dukej i pafund. Përkundër kësaj, kanë pasur një kokëfortësi të admirueshme për mos t’u asimiluar dhe hequr dorë nga ideja e tyre kombëtare.
Përkundër nesh, ata kanë pasur mundësinë e emigrimit, çka u jepte mundësinë e mësimit nga Perëndimi. Kjo ndihmoi veçanërisht inteligjencën dhe elitat e tyre, e cila ende sot ka standarde të larta në administratë apo forume akademike krahasuar me atë shqiptare.
Organizimi klanor i Kosovës ndihmoi në mosshpërbërien e elementit shqiptar dhe më vonë rezistencën e armatosur.
Kosova përndryshe nga Shqipëria që shumë nga lëvizjet sociale i ka pasur të rekomanduara nga lart, ka bërë rezistencë mbresëlënëse duke filluar nga demonstratat e ‘81-shit e më vonë deri te lëvizja e armatosur. Kjo ka bërë që më vonë edhe pushteti i shqiptarëve të jetë i kujdesshëm ndaj demonstrimeve.
Kur kisha para dy vjetësh në intervistë Albin Kurtin dhe pas emisionit e pyeta se çfarë do të kishte ndodhur në Kosovë nëse pushteti do të kishte reaguar si te ne më 21 janar, m’u përgjigj se ajo qeveri do të ishte zënë poshtë gërmadhave të godinës së saj.
Të gjitha sa më sipër nuk janë një analizë, por një përpjekje për të shpjeguar sesa profane është nga ana jonë të shpjegojmë lëvizjet e Kosovës e ca më keq t’u japim leksione, kur të gjithë ne, e shumta e njohim nga restorantet e Prishtinës. Sesa naivë (për mos thënë fjalë tjetër) dukemi, kur cilësojmë partitë apo politikanët kosovarë si komunistë, tradhtarë apo injorantë.
Elita e Kosovës ka kaluar në kudhrën e luftës dhe pushtimit serb. E jona, nën mësimet e shokut Ramiz. Ndaj është e mira t'i lëmë analizat, por të mësojmë prej tyre si bëhen zgjedhjet e si bëhet shteti./dritare.net