Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Protestuesit largohen nga rrethimi pranë Kuvendit, PD vendos për qëndrimin në seancë

Policia ka larguar protestuesit nga zona përpara Kuvendit, duke i nxjerrë jashtë rrethimit me gardh metalik të vendosur pranë godinës së Parlamentit. Lëvizja u krye pa përplasje, pasi protestuesit nuk bënë rezistencë ndaj efektivëve.

Kuvendi pritet të zhvillojë sot në orën 12:00 seancën plenare, ku në rendin e ditës janë raportet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të drejtësisë.

Përpara nisjes së seancës, një grup protestuesish u mblodhën jashtë godinës së Kuvendit, disa prej tyre të pajisur edhe me vezë.

Në fokus të diskutimeve të sotme është raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025. Gjithashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë dhe miratojnë projektrezoluta për vlerësimin e punës së institucioneve të pavarura dhe sistemit të drejtësisë, përfshirë Avokatin e Popullit, KLGJ, KLP, KLSH, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Ndërkohë, rreth një orë para nisjes së seancës, Partia Demokratike do të zhvillojë një mbledhje për të vendosur nëse do të vijojë bojkotin e Parlamentit apo do të rikthehet në sallën e Kuvendit./L.F-dritare.net