Reforma Territoriale përplas PS-në me PD-në, demokratët: Po vendosni vetë për hartën e re
Dritare.net

Debati për Reformën Territoriale ka sjellë përplasje të reja mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend. PD akuzon socialistët se po përgatisin një ndarje të re territoriale pa pritur përfundimin e punës së komisionit të përbashkët.
Sipas demokratëve, vendimi për uljen e numrit të bashkive është marrë tashmë. “Rama tërhiqet nga reforma territoriale duke vijuar me projektin për shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë”, deklaroi Sali Berisha.
Deputetët e opozitës kundërshtuan mundësinë e shkrirjes së disa bashkive. “A shkrihet Mirdita? Mos i bëni atentat Shqipërisë”, tha Agron Gjekmarkaj, ndërsa Ina Zhupa paralajmëroi: “T’ju vijë turp nëse votoni që të shkrihet Delvina dhe Konispoli”.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste mohon se ka një vendim përfundimtar dhe këmbëngul se procesi është ende në fazën e raportimit dhe konsultimeve.
“Në datën 23 nuk do të ketë votim, por raportim që mbi bazën e tij ka një proces që i përfshin komunitetet”, tha Taulant Balla.
Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi, kërkoi që mazhoranca të tërhiqet nga raporti i saj dhe të shtyhen afatet e punës. “Hiqni dorë nga ai raportim se nuk ka vlerë ligjore”, u shpreh Boçi.
Përplasja vjen pas sinjalizimeve të PS-së se reforma e re mund të sjellë reduktim të numrit të bashkive dhe një ndarje të re administrative të vendit./K.C/dritare.net