Na ndiqni edhe në

Editorial

Revolucioni që duam!

Nga Dritare.net

Një pjesë e madhe e energjisë sonë shkon për të rrëzuar dikë. Sot është Rama. Nesër do të jetë dikush tjetër. Gjithmonë kundër. Gjithmonë gati për rrëzim.

Por çfarë ndërtojmë ndërkohë?

Sa energji, sa talent, sa kohë harxhohet për protesta, debate, sharje, përçarje. Po sikur një pjesë e kësaj force të kthehej në një ide, në një nismë, në një biznes të vogël, në një projekt për lagjen, qytetin apo Shqipërinë?

Nuk ka nevojë të shpikim. Nuk ka nevojë të bëjmë mrekulli. Mjafton secili të lërë një gjurmë të vogël pozitive.

Duhet besuar te të rinjtë që dalin me një flamur dhe jo me një gur. Te ata që kërkojnë ndryshim pa urrejtje. Te ata që nuk e pranojnë Shqipërinë si një vend të humbur, por si një vend që mund të bëhet më i mirë.

Ky vend nuk ka nevojë vetëm për njerëz që dinë të tregojnë çfarë nuk shkon. Ka nevojë për njerëz që provojnë të bëjnë diçka që shkon.

Ndryshimi nuk fillon patjetër në rrugë. Fillon edhe në një klasë, në një biznes, në një ide, në një projekt vullnetar, në një nismë qytetare. Fillon kur dikush vendos të mos presë që Shqipërinë ta ndryshojë gjithmonë “dikush tjetër”.

Është koha të kalojmë nga kultura e rrëzimit te kultura e ndërtimit.

Sepse vendet nuk bëhen më të mira vetëm duke luftuar kundër dikujt. Bëhen më të mira kur gjithnjë e më shumë njerëz vendosin të bëjnë diçka për to.

Ndoshta revolucioni që i duhet Shqipërisë nuk është të rrëzojë një kryeministër. Është të ngrejë një brez që ndërton. /Dritare.net