Protestat që forcuan Ramën dhe dobësuan turizmin

Nga  Dritan Hila
Nuk di të them nëse deklarta e Blendi Klosit për mundësinë që këtë vit Shqipëria të kapë shifrën e 10 milionë turistëve është e vërtetë, pasi nuk i kam statistikat. Por nuk e besoj pasi provat empirike më thonë të kundërtën.
Sivjet në Sarandë në fund të korrikut, përjashto qendrën e qytetit ku kishte polakë dhe ukrainas, ekstremitetet e tij ishin pothuajse të shkreta. E pra vjet gëlonin nga italianët dhe polakët. Saranda është një qytet tipik turistik, por restorantet e saj që janë të krahasueshme me ato të Korfuzit për nga arredimi, ishin pothuajse bosh.
Hotelit ku pushova i kishin anuluar prenotimet 46 autobusë me turistë gjermanë që do të flinin mesatarisht 2 net për person. Llogarinë bëjeni vetë. Me një mesatare 50 € për person në ditë, bëjnë një xhiro prej 230.000 €. Pronari kishte llogaritur të lante kredinë me ato të ardhura. Durim. Duhet të presë vitin tjetër.
Në Vlorë një tjetër hotel i mirënjohur kishte humbur 3/4 e prenotimeve për qershor-korrikun. Një humbje kolosale për të. Pronarët kanë frikë të flasin pasi druhen mos politizohen, por e vërteta është kjo.
Mora vetëm dy shembuj, por kush e ka parë fluksin e dy vjetëve të fundit, e shikon diferencën.
Shkaku nuk ka lidhje me ofertën shqiptare. 65€ dhoma për çift “all inclusive” në Golem në hotel që i ka realisht 4 yje është e pagjetshme në asnjë vend të Mesdheut. Por shkaku i boshësisë janë protestat disamujore të opozitës, të cilat Edi Ramën e nxorën më të fortë, por turizmin e dobët shqiptar e rrënuan.
Në këto kushte, do të ishte e mënçur që qeveria të ndihmonte financiarisht operatorët shqiptarë. Shumë prej tyre janë të zhytur në kredi dhe një sezon i keq i vë realisht në pozita falimenti. Kam parë personalisht dy hotele që kishin dalë në shitje. Dhe rasti i verës së sivjetshme duhet trajtuar realisht siç trajtohet një fatkeqësi natyrore, tërmet apo thatësirë.
Në të kundërt, nëse nuk ia del ta bëjë në mënyrë të organizuar ndihmën, duhet të tërheqë presionin fiskal me grupet e gatëshme të tatim-taksave që janë lëshuar me blloqe gjobash e shirita sekuestroje në dorë, për të luftuar evazionin e kuponave tatimorë të kafeve dhe ujit pa gaz.
Turizmi duhet trajtuar si pulë që jep vezë sot e mot dhe jo si vezë që duhet ta hamë sot. Opozitën vërtet mund të mos ta hajë qederi pasi edhe kur të vijë nesër në pushtet fitimet do t‘i nxjerrë ashtu si gjithmonë nga gjobat e tenderëve se nuk kanë hotele e restorante, por atyre që kanë besuar te turizmi dhe kanë investuar aty, nuk mund t‘u hedhim lakun në fyt. Kaq gjë duhet ta kuptojë edhe kjo qeveri, e cila nuk është se e ka idenë se çfarë heq një sipërmarrës, pasi askujt prej tyre ende nuk u ka thënë njeri “puna e mbarë!”/dritare.net

LEXO DHE :  Tërmeti/ Ahmetaj: Buxheti nuk do të cenohet, asnjë taksë nuk rritet

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.