
Plas sherri mes Agim Hushit dhe gazetares, ai i kujton lajmin për vjedhjen
Dritare.net

Tenori publikoi në Facebook një lajm të janarit të 2015-ës, pas ndalimit të Kurtit bashkë me 3 shqiptare të tjera të dyshuara për vjedhjen e produkteve me vlerë gjithsej 400 euro në një supermarket në Itali.
“O tempora, O mores!!
Meqë çdo fjalë e imja komentohet sipas interesit të disave, s’po flas fare dhe po ju lë ju miq të gjykoni kush hodhi baltë mbi karrierën time dhe bëni krahasimin! Uroj paqe për këto shpirtra të trazuar", shkruan Hushi.
Pas kësaj, Kurti reagoi publikisht në profilin e saj në Facebook, ku në një status shkruan se e kishte ndarë mendjen ta linte me aq, por i duhet t’i kujtojë se lajmi për vjedhje u përgënjeshtrua nga mediat italian. Siç deklaroi atëherë, Kozeta Kurti ishte gjendur rastësisht gjatë vjedhjes në qendrën tregtare në Bergamo dhe bashkë me shumë të pranishëm të tjerë, ishin marrë për t’u pyetur në polici.
“E kisha ndarë mendjen mos me u marrë më me ty o tenor. Por ndryshe nga ty që shkruan të dhëna për veten në Wikipedia, lajmin për vjedhjen time e përgënjeshtron media italiane! Meqë je tip lexuesi, jo për gjë!
Mua m’i prishe pushimet 5 minuta, kaq, por me sa shikoj, unë ta pakam prishur më gjatë komoditetin e jetës në Australinë tënde të ëmbël! Mjaft reklamë të bëra, o tenor që më shumë flet se këndon! Gëzuar!”, shkruan ajo në Facebook.

















