Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Përtej një falje publike nga Ambasada Shqiptare në Londër

Përtej një falje publike nga Ambasada Shqiptare në Londër
Nga Petrit Kuçana

Ajo ka filluar të mësojë shqip dhe çdo bisedë me të është shumë e këndshme. Me patjetër do të tregojë për ndonjë projekt të ri, në ndihmë të shqiptarëve në Brighton. Emri i saj është shumë i njohur, jo vetëm për shqiptarët e qytetit bregdetar, por në të gjithë Britaninë.

Nikki Denero bëri të mundur organizimin për herë të parë të Festivalit Shqiptar në Brighton, ku përveç mundësisë fantastike për prezantimin e vlerave shqiptare, i  krijoi mundësinë Ambasadorit Qiriako Qirko të prononcohet në BBC për imazhin e shqiptarëve.

Falë përkushtimit të saj me 28 Nëntor Flamuri ynë kombëtar u valëvit në Bashkinë e Brighton ku gjithçka u shndërrua KUQ e ZI.

Mirësjellja e saj, nuk mundte kurrsesi të mbulonte një turp tonin, nga  ata më të pafalshmit, që kalonte çdo cak të perceptimit të atij që quhet gabim…

Ambasada shqiptare nuk e ka konsideruar të arsyeshme ta ftojë në organizimin me rastin e festës së Flamurit. Janë ato momente ku kërkimi i faljes, ndjesa (qoftë edhe publike) nuk janë të mjafta, pasi mosmirënjohja merr nuancat e thekshme të turpit dhe asnjë fjalë nuk mund ta gjendet për t’i kërkuar ndjesë kësaj zonje angleze.

Refuzimi i një ftese

Festa e Flamurit është padyshim organizimi më i madh që bën një ambasadë, ku në një mandat normal bëhen gjithsej katër të tilla dhe çdo ambasadë ka angazhimin maksimal për madhështinë e këtij aktiviteti.

Mbetesh i shokuar, jo vetëm kur mëson për  “harresën” e ftesës për një mike të çmuar britanike, por kur konstaton se Nikki nuk është e vetmja. Me keqardhje vëren se edhe kryetar të tjerë bashkish ku u ngrit flamuri shqiptar, apo miq të shumtë britanikë që prej vite e vitesh kanë ndihmuar komunitetin shqiptar,  “janë harruar” gjithashtu të ftohen. Ishte festë vetëm për shqiptarët?

Sipas njoftimit zyrtar të ambasadës shqiptare “në pritjen zyrtare me rastin e festave,  morën pjesë mbi 200 pjesëmarrës, të cilët shprehën përgëzimet e tyre lidhur me konceptimin dhe organizimin e këtij aktiviteti”

Mbi 200 pjesëmarrës? Fantastike.

Pyetja se kush u ftua në këtë aktivitet është gjëja më e paktë që gjithsecili pyet, duke mos shkuar shumë në detaje të “konceptimit” për një pritje të tillë, zyrtare natyrisht.

Gjithmonë sipas njoftimit zyrtar; “ Në pritjen e organizuar me këtë rast  morën pjesë anëtarë të  Dhomës së Lordëve dhe Parlamentit britanik, Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Forcave të  Armatosura britanike, Marshalli i Trupit Diplomatik nga Oborri Mbretëror, drejtues nga FCO, si dhe veprimtarë të shquar të komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe”.

Ambasada nuk e paska konsideruar “të arsyeshme” të ftonte edhe këta miqtë britanikë të sipërpërmendur? Thua ta kemi luksin të “humbim” miq të tillë? Të jetë thjesht çështje konceptimi?

Foto nga festivali shqiptar ne Brighton organizuar nga NIKKI Denero   Po sa “të huaj” morën pjesë? Dhjetë- pesëmbëdhjetë? Po të tjerët kush ishin?  Të themi se ishin 10-15 përfaqësues të shoqatave dhe organizatave shqiptare ne Britani(formale apo informale) (që duhet të shkonin vetëm, pra të pashoqëruar). Shumë prej tyre “thyen” protokollin e pritjes, (pasi janë shfaqur të shoqëruar apo të “shumë shoqëruar”), por gjithsesi mund të mbetemi tek shifra 30 plus 10 apo 20 “të huaj” .  Po 150 të tjerët?

“Të padenjët” e Samitit

Pak kohë më parë në Tiranë u mbajt samiti i diasporës, ku ishin të ftuar edhe shumë shqiptarë të Britanisë, duke përfshirë edhe ata shqiptarët e suksesshëm që nga pedagogët shqiptarë që japin leksione në universitetet britanike dhe deri tek sipërmarrësit artistët, që prezantojnë denjësisht vlerat shqiptare në ishullin britanik.

Me keqardhje mësuam se ambasada “nuk e ka parë të arsyeshme” që pjesën  dërrmuese të tyre t’i ftonte në pritjen zyrtare, me përjashtim të atyre që ishin sponsor.

Pra këta qenkërkan të denjë të shkojnë në Samitin e Diasporës, natyrisht me shpenzimet e tyre, por Ambasada i paskërka klasifikuar si “të padenjë” për të qenë pjesëmarrës në pritjen zyrtare?

Mos u dashka të ishin sponsor që të ishin pjesëmarrës?

Apo nuk duhet të shkonin në samit dhe ato paratë e shpenzuara atje, biletë, hotel dhe shpenzime t’i sponsorizonte? Se çfarë duhet të bënin apo të mos bënin që të kishin privilegjin që të ishin të ftuar, vetëm ambasada mund ta dijë…

 O tempora o mores…

Më e pakta që mund të bënim, ishte refuzimi i ftesës për të marrë pjesë në një aktivitet të tillë, që duhej të ishte përbashkues dhe jo ndarës e përçarës.

Kemi mirëkuptuar dhe mirëkuptojmë çdonjërin nga “delegatët” e samitit që klasifikuan nga ambasada si “të padenjë” për të marrë pjesë në pritjen zyrtare dhe moskuptimet e tyre  për këtë aktivitet, ashtu siç një pjesë e sponsorizuesve nuk u ndjenë aq mirë, kur panë mungesën e këtyre delegatëve, në një komunitet kur të gjithë njohin të gjithë. Përveç sponsorizuesve si u zgjodhën të ftuarit?

Në bazë të gjatësisë, flokëve, peshës… e dreqi i mallkuar se merr vesh…

Përsa i përket sponsorizuesve ne i kemi përgëzuar dhe i përgëzojmë çdonjërin që ka kontribuar dhe kontribuon për komunitetin, aq më tepër që të nxjerrë faqebardhë Ambasadën në këtë pritje zyrtare. Ne do të ofrojmë faqet e gazetës tonë për të bërë transparencën e këtij aktiviteti, për të bindur gjithsecilin që pretendon që mund të jenë kryer abuzime nga paratë e sponsorizuarve. Ne do të publikojmë me shumë kënaqësi çdo informacion nga ambasada shqiptare në Londër për këtë çështje.

Gjithkush mund të pyesë nëse kishte ndonjë të ftuar nga Irlanda. Nga kontaktet e shumta me shqiptarët e atjeshëm, mësojmë se asnjë shqiptar i vetëm nuk është ftuar, qoftë edhe ata që, ndonëse vazhdojnë të jenë jetimët e mëdhenj, janë përpjekur të prezantojnë në mënyrën më të mirë vlerat shqiptare, qoftë edhe nëse nuk marrin një ftesë zyrtare nga Ambasada në Londër.

Pra sa shqiptarë kishte të ftuar nga Irlanda e Veriut, apo nga Skocia? Nga Manchesteri? Nga Brighton apo qytete të tjera të Britanisë, që nuk njohin as ambasadorin dhe as stafin e ambasadës?

Thua që ata shqiptarë “të rrethinave”  kërkokan shumë nga Ambasada, që ta marrin një ftesë njëherë në vit, qoftë edhe për t’i falënderuar për punën që po bëjnë?

Nuk ka dyshim se ambasada u është borxhli të gjithë këtyre shqiptarëve sidomos atyre që presupozohen përfaqësues, që fajin e vetëm e kanë që janë larg kryeqytetit dhe është e papranueshme që të mos ftohen.

Prononcimi i ambasadorit Qirjako Qirko për BBC për imazhin e shqiptarëve

Ambasada u është borxhli edhe atyre emigrantëve që u shndërruan në ambasadorë, qoftë edhe në ato momente kur Shqipëria nuk kishte ambasadë në Londër, ata aktivistë që me punën e tyre të jashtëzakonshme për vite e vite me radhë punuan dhe kontribuuan për çështjen kombëtare.

Mosmirënjohja nuk është as në traditën shqiptare… dhe lehtësisht konsiderohet si e papranueshme mungesa e një ftesa për këta njerëz, sidomos për ata që ishin përfaqësues të brezit të parë të emigrantëve shqiptarë në Londër.

I kalon caqet e komikes, pohimi i një miku pjesëmarrës në pritjen zyrtare, që ishte shumë i lumtur nga ky aktivitet, pasi gjeti një rregullues satelitësh, që i duhej dhe të paktën kreu edhe një punë…

Nuk ka asgjë të keqe që anëtarësia e një force të caktuar politike, të jenë prezentë në pritjen zyrtare, (me kuç e me maç) ashtu siç mund të jenë prezentë edhe njerëz që as vetë nuk e dinin se pse ndodheshin aty, apo thjesht sepse janë miq/mikesha të dikujt.

Edhe ata duhet të festojnë, pse jo ashtu siç mund të festojnë edhe çdo pjesëtar komuniteti, por këtu ngec “konceptimi” i pritjes zyrtare.

Me patjetër që do të ishin gjetur edhe sponsor të tjerë që mund të merrnin ndonjë vend më të madh, ashtu siç mund të ishte konceptuar pritje në ambasadë etj etj apo pritje e veçantë për trupin diplomatik.

Janë disa praktika që mund të ndiqeshin, por duket se ambasada e ka konceptuar në këtë formë dhe s’ka si të jetë ndryshe, kur sipas njoftimit zyrtar të ambasadës “morën pjesë mbi 200 pjesëmarrës, të cilët shprehën përgëzimet e tyre lidhur me konceptimin dhe organizimin e këtij aktiviteti”. Përgëzime për mbushjen e sallës?

Besohet se gjithsecili shqiptar “që pati fatin” të marrë një ftesë nga ambasada për pritjen zyrtare, (qofshin ndreqësit e sateliteve, militantë, ithtarë personalë apo politikë, njerëz profesionistë apo thjesht ata që zanatin e vetëm e kanë fejsbukxhi, qoftë edhe ata që kishin vetëm pak ditë që ndodhen në Londër, por u ftuan, apo ata që nuk e dinin se pse ishin të ftuar (por që padyshim kanë të drejtë të festojnë), apo kushdo tjetër që u ftua ) me shumë kënaqësi “do i linte vendin” Nikki Doneros që ngriti flamurin shqiptar në Brihton dhe i ofroi mundësinë ambasadorit të prononcohet në BBC. Ashtu siç me shumë kënaqësi “do i linte vendin”  shumë e shumë miqve të tjerë britanikë dhe më gjerë.

Ndjesa publike

Ambasada u është shumë borxhli dhe së paku u detyrohet një falje publike “të harruarve”, apo atyre që  “u klasifikuan” si të padenjë për të qenë pjesëmarrës në pritjen zyrtare, ashtu si për shumë e shumë të tjerë  qoftë delegatë samiti apo jo, aktivistë të rinj apo të vjetër. Besohet se vetëm kështu do të riniste një marrëdhënie normale mes ambasadës dhe komunitetit.

E sigurtë është se e kundërta nuk do i shërbente askujt.

Të paktën në tre aktivitetet e tjera të pritjes ZYRTARE me rastin e festave të nëntorit  (katër festa organizohen brenda një mandati) gjëra të tilla të mos përsëriten dhe gjithkush të krenohej me festën dinjitoze të ambasadës, e sërish Flamuri shqiptar të valëvitet në Brighton apo në bashkitë e tjera londineze dhe më gjerë, e sërish Ambasadori Qirko të prononcohet në BBC për imazhin e shqiptarëve…