Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

PD kërkon debat në Kuvend për ish-kreun e SHISH, Balla: Përgjegjësitë penale i përcakton SPAK

Konferenca e Kryetarëve po shqyrton kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me ish-kreun e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Në kërkesën e depozituar në Kuvend, PD kërkon që të shqyrtohen përgjegjësitë institucionale lidhur me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e Hysenit nga drejtimi i SHISH, si dhe masat e marra për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Sipas kërkesës së opozitës, në vëmendje janë edhe informacionet e bëra publike lidhur me pretendimin se, gjatë kohës që drejtonte SHISH, Hyseni ka ndihmuar përmes furnizimit me të dhëna dhe informacione të klasifikuara shtetasin Ergys Agasi, i cili, sipas materialit të paraqitur, është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

PD kërkon që Kuvendi të shqyrtojë procedurat dhe kriteret e ndjekura për përzgjedhjen dhe emërimin e Hysenit, përgjegjësitë e institucioneve të përfshira në këtë proces, si dhe mekanizmat e kontrollit, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies gjatë ushtrimit të detyrës.

Një tjetër pikë e kërkesës lidhet me verifikimin nëse dhe në çfarë mase është komprometuar informacioni i klasifikuar, si dhe me masat e marra për garantimin e sigurisë së informacionit dhe mbrojtjen e personelit të SHISH.

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se çështja duhet t'i lihet hetimit të Prokurorisë së Posaçme.

Balla deklaroi se çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund nga SPAK dhe se Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar apo zëvendësuar kompetencat e prokurorisë.

Sipas tij, përgjegjësia penale është individuale dhe Kuvendi nuk mund të verifikojë prova, të përcaktojë fakte penale apo të vendosë përgjegjësi individuale përmes instrumenteve të kontrollit parlamentar.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, por askush nuk është mbi ligjin”, u shpreh Balla, duke theksuar se SPAK duhet të vijojë punën pa ndërhyrje.

Ai përmendi gjithashtu faktin se Hyseni është shkarkuar menjëherë nga detyra dhe tha se procesi duhet të vijojë në institucionet përkatëse, për të përcaktuar nëse ka pasur cenim të sigurisë kombëtare apo të informacionit të klasifikuar.

Çfarë kërkon PD?

Në thelb të kërkesës së opozitës janë disa çështje:

përgjegjësitë institucionale në emërimin dhe përzgjedhjen e ish-drejtorit të SHISH;
mënyra e ushtrimit dhe mbikëqyrjes së detyrës;
verifikimi i sigurisë së informacionit të klasifikuar;
masat e marra për mbrojtjen e informacionit dhe personelit;
përgjegjësia institucionale dhe politike e strukturave shtetërore të përfshira në proces.
PD argumenton se çështja lidhet me ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi institucionet e sigurisë kombëtare dhe kërkon transparencë mbi mënyrën se si kanë funksionuar mekanizmat e verifikimit dhe mbikëqyrjes.

Ndërkohë, mazhoranca argumenton se kontrolli parlamentar nuk duhet të kthehet në një proces paralel me hetimin penal të SPAK.

Vendimi i Konferencës së Kryetarëve pritet të përcaktojë vijimin e kërkesës së opozitës për mocionin me debat në Kuvend./L.F-dritare.net