Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

PD i përgjigjet Ramës: Ku është fletë-arresti për Vangjush Dakon?

PD i përgjigjet Ramës: Ku është fletë-arresti për
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi i është përgjigjur videomesazhit të kryeministrit, Edi Rama. Rama tha sot se, opozita është treguar inekzistente në situatën pas tërmetit dhe ka kritikuar refuzimin për t’u ulur në tavolinë me ta, duke e cilësuar mungesë përgjegjshmërie.

Ndërkohë, përmes një postimi në Facebook, Bardhi shprehet se, Rama dështoi në menaxhimin e situatës së tërmetit të 26 nëntorit, dështoi t’u japë qytetarëve siguri. Bardhi thotë se, Rama po i përdor banorët e prekur  nga tërmeti.

“Edi Rama vazhdon të bëjë shoë mbi tragjedinë e 26 Nëntorit, duke u përpjekur të mbulojë paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe abuzimin e qeverisë së tij me propagandë të shëmtuar kundër opozitës.

Për fatin e keq të Shqipërisë dhe qytetarëve të prekur nga tërmeti, këto 3 javë provuan se vendi drejtohet nga një kryeministër i dështuar. Edi Rama dështoi të menaxhojë situatën pas tërmetit, dështoi t’u japë qytetarëve sigurinë për banesat e tyre, dështoi të mbrojë interesin publik, duke mbrojtur paturpësisht 150 milionë dollarë që u jep oligarkëve për koncesionet korruptive të firmosura prej qeverisë se tij.

Dëshmi e dështimit të Edi Ramës është edhe përgjegjësia direkte për vdekjen e 24 qytetarëve në pallatet e shpallura të pabanueshme në Thumanë pas tërmetit të 21 Shatorit, për të cilët nuk mori asnjë masë për ti strehuar, duke i lënë në mëshirën e fatit.

Dështimi më i madh i Edi Ramës është se nuk shndërroi dot Partinë Demokratike dhe opozitën në fasadën e pushtetit të tij të korruptuar dhe të kriminalizuar. Ai e ka të lidhur fatin me Vangjush Dakon dhe Arben Ahmetajn, ndërsa ne me qytetarët shqiptarë.

Në këtë kohë fatkeqësie, shqiptarët kanë parë se e vetmja forcë e përgjegjshme, që ka ngritur zërin për interesin e tyre është opozita. Ne nuk përfituam politikisht nga tragjedia, ne nuk u tallëm me viktimat dhe as nuk i përdorëm të prekurit nga tërmeti, siç po përpiqet prej ditës së parë, Edi Rama, i cili shpiku edhe fejesën e të birit për t’u viktimizuar para shqiptarëve që ia kanë hequr vizën me kohë.”,- shkruan Bardhi./K.C/dritare.net